Ballina Politika Evis Sala firmos memorandum me elitën europiane të onkologjisë, ndërsa pacientët shqiptarë...

Evis Sala firmos memorandum me elitën europiane të onkologjisë, ndërsa pacientët shqiptarë vazhdojnë betejën me realitetin

78
0

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, zgjodhi të prezantojë si një sukses të madh nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes QSUT-së dhe Institutit Kombëtar të Tumoreve në Milano, një prej qendrave më të mira të onkologjisë në Europë. Në fjalimin e saj nuk munguan fjalët e mëdha: inteligjencë artificiale, telemjekësi, diagnostikë molekulare, studime klinike, standarde europiane dhe transformim i sistemit.

Në letër, gjithçka tingëllon perfekte.

Problemi është se pacientët shqiptarë nuk kurohen me memorandume.

Ndërsa ministrja flet për inteligjencën artificiale, shumë qytetarë ende përballen me inteligjencën shumë reale të një sistemi që i detyron të presin, të kërkojnë ilaçe, të enden nga një derë në tjetrën dhe shpesh të humbin besimin se shteti do t’u qëndrojë pranë në momentin më të vështirë të jetës.

Ironia është se qeveria po feston një partneritet me një nga spitalet më të mira të Europës, ndërkohë që vetë spitali universitar shqiptar vazhdon të jetë objekt i denoncimeve të vazhdueshme për kushtet e shërbimit. Është sikur të bësh fotografi para një Ferrari, ndërsa vazhdon të udhëtosh me një makinë që mezi ndizet.

Askush nuk e vë në diskutim vlerën e bashkëpunimit me institutin italian. Përkundrazi, ai është ndoshta pjesa më serioze e gjithë historisë. Ajo që ngre pikëpyetje është përpjekja për ta shitur firmën mbi një memorandum si provë se shëndetësia shqiptare ka hyrë në epokën europiane.

Pacientët nuk kanë nevojë për një tjetër konferencë shtypi. Ata nuk kërkojnë fjalë si “hub”, “AI”, “Clinical Trial Center” apo “Value-Based Medicine”. Ata kërkojnë analiza në kohë, aparatura që punojnë, barna që gjenden dhe një shtrat spitali ku të trajtohen me dinjitet.

Në fund, prova e vërtetë nuk është sa memorandume firmosen me qendra prestigjioze europiane. Prova është shumë më e thjeshtë: kur pacienti të hyjë në QSUT dhe të ndiejë se ka hyrë në një spital që funksionon. Deri atëherë, fotografitë me firmat mund të prodhojnë propagandë, por jo domosdoshmërisht shërim./vna