Ballina Sport “Argentina Out”, peticioni kundër kombëtares argjentinase mbledh 23 milionë firma

“Argentina Out”, peticioni kundër kombëtares argjentinase mbledh 23 milionë firma

96
0

Një peticion online që kërkon përjashtimin e përhershëm të Argjentinës nga Kupa e Botës ka marrë përmasa të mëdha, duke mbledhur mbi 23 milionë firma nga rreth 170 shtete dhe duke u renditur mes peticioneve më të nënshkruara në histori.

Fushata me titull “Argentina Out” u lançua gjatë Kupës së Botës 2026 dhe akuzonte FIFA-n dhe gjyqtarët për favorizim ndaj Argjentinës dhe kapitenit të saj, Lionel Messi.

“Pse duhet që skuadrat e tjera të luajnë në turne nëse fituesi dihet paraprakisht? Përjashtojeni Argjentinën nga Kupa e Botës dhe jepuni të gjithëve një mundësi të barabartë”, thuhej në përshkrimin e peticionit.

Megjithatë, pavarësisht numrit të madh të firmave, iniciativa nuk pati asnjë ndikim në vendimmarrjen e FIFA-s dhe Argjentina nuk u përball me asnjë masë përjashtuese.

Kërkesa u shoqërua me debate për shkak të polemikave gjatë turneut, veçanërisht për disa vendime të arbitrave në ndeshje të caktuara, përfshirë sfidën ndaj Egjiptit në fazën e 1/8 së finales.

Peticioni iu afrua edhe rekordit botëror të firmave, duke mbetur më pak se një milion nënshkrime larg fushatës “Jubilee 2000”, e cila në vitin 1997 mblodhi mbi 24 milionë firma për faljen e borxheve të vendeve të varfra.

Pas humbjes së Argjentinës në finale ndaj Spanjës me rezultatin 1-0, organizatorët e peticionit e mbyllën fushatën me një mesazh falënderimi për kampionët e rinj:
“FIFA na injoroi, por Spanja e mbajti premtimin… faleminderit Spanjë”.

Pavarësisht jehonës globale, peticioni mbetet vetëm një nismë online pa asnjë fuqi ligjore apo sportive dhe nuk ndryshon statusin e Argjentinës në kompeticionet ndërkombëtare.