Ballina Aktualitet ‘Shpërthen’ revista franceze: Mafia po plaçkit Shqipërinë! Protestat tronditin vendin, kërkohet largimi...

‘Shpërthen’ revista franceze: Mafia po plaçkit Shqipërinë! Protestat tronditin vendin, kërkohet largimi i Ramës

104
0

Nga Emma Larbi, LA VIE

Të mbështetura mbi një karrocë, dy gra të moshuara përpiqen të ndjekin marshimin. Pak më tutje, disa burra janë gjunjëzuar për faljen e namazit të mbrëmjes. Grupe studentësh bashkohen me turmën, ndërsa një baba dhe djali i tij valëvisin flamurin shqiptar teksa kalojnë protestuesit.

Që prej 30 majit, disa mijëra shqiptarë protestojnë çdo mbrëmje në Tiranë, poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama. Lëvizja, e cila nuk po zbehet, u radikalizua në fillim të korrikut, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë shqiptare.

Gjithçka nisi nga projektet e ndërtimit të Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump, dhe Ivanka Trump, bashkëshortes së tij, në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec, një komunë bregdetare përballë Detit Adriatik.

Prej muajsh, këto projekte kanë shqetësuar organizatat mjedisore. Por pamjet që tregonin roje sigurie private duke shtyrë me dhunë banorët që protestonin kundër mbërritjes së makinerive të ndërtimit, shkaktuan zemërim në mbarë shoqërinë.

Skandale financiare dhe korrupsion

Për protestuesit, mungesa e reagimit të autoriteteve ndaj dhunës, mungesa e transparencës dhe ndikimi i projekteve në mjedis pasqyrojnë të gjitha problemet e Shqipërisë, ku qeveritë e fundit janë përfshirë në skandale financiare dhe akuza për korrupsion.

Megjithatë, në këtë vend me 2.4 milionë banorë në Ballkan, një protestë kaq e madhe është e paprecedentë që nga rënia e komunizmit dhe konsiderohet si shenjë e lindjes së një shoqërie civile të vërtetë.

“Është hera e parë që ka kaq shumë njerëz të ndryshëm së bashku,” thotë Hyrmete Thaçi, 42 vjeçe, me një shami jeshile të çelët në kokë. “Sepse sot të gjithëve u ka ardhur në majë të hundës.”

Vështirësitë ekonomike të popullsisë

Nga apartamenti i saj në katin e dhjetë të një pallati familjar, Elsida Hajdari sheh me hidhërim bum-in e ndërtimeve dhe transformimin e vendit.

“Më parë shikonim malet. Tani ka ndërtesa kudo,” thotë 39-vjeçarja.

Poshtë pallatit të tyre ende qëndrojnë disa shtëpi modeste, me çati të dëmtuara dhe kabllo të vjetra elektrike.

Për këtë arsye, Elsida del çdo mbrëmje në protestë.

Në familjen e saj, vështirësitë ekonomike kanë zemëruar të gjithë.

Vajza e saj Ebi, 15 vjeçe, thotë se kostoja e jetesës nuk e lejon “as të blejë një shkëlqyes buzësh apo të dalë me shoqet.”

Elsida punon në një call center për 800 euro në muaj, pak më shumë se paga minimale, e cila është rreth 500 euro.

“Megjithatë, unë kam diplomë në shkenca politike dhe flas tre gjuhë,” thotë ajo e revoltuar.

Bashkëshorti i saj, Besmir Kraja, kuzhinier, shqetësohet për përkeqësimin e kushteve në sektorin e tij.

“Tani kemi punëtorë të huaj me paga shumë të ulëta, të cilët mbahen në banesa të pabanueshme.”

Edhe Julian Bregu, 41 vjeç, ish-legjionar i ushtrisë franceze që tani punon në marketing, thotë se nuk kishte protestuar dhe as nuk kishte votuar ndonjëherë.

Por këtë herë partnerja e tij, Enki Çokaj, 37 vjeçe, me të cilën ka një djalë 8 muajsh, e bindi të bashkohej me protestat.

Ai shpreh shqetësimin për gjendjen e shërbimeve publike.

“Nuk e shoh fëmijën tim të rritet në këtë sistem edhe pas 20 vitesh. Niveli i arsimit është i pamjaftueshëm dhe spitali publik ka shumë mangësi.”

Në këtë vend, që mbetet ndër më të varfrit në Evropë, çifti e di se bën pjesë në 10% të shtresës më të privilegjuar.

“Por edhe për ne kërkohen shumë sakrifica,” përfundon Enki Çokaj.

Të mbledhur para dritareve të zyrës së kryeministrit, më të dukshmit janë të rinjtë nga 18 deri në 30 vjeç. Nxënës, studentë, punëtorë të rinj ose të papunë, ata përfaqësojnë një brez që përballet me një të ardhme të pasigurt, me një papunësi që prek 22% të të rinjve nga 15 deri në 24 vjeç, si edhe me ndjesinë se shteti është më i interesuar të investojë në turizëm sesa në universitet.

Të lidhur ngushtë me rrjetet sociale, ata kanë luajtur një rol të madh në përhapjen e protestës.

Mes tyre është Dea Vieri, 28 vjeçe, e cila denoncon, ndër të tjera, korrupsionin e përhapur që trondit vendin.

Sipas saj, fenomeni shkon shumë përtej politikës.

“Të rinjtë janë lodhur. Nuk duhet të njohësh ndonjë person të rëndësishëm ose të paguash që të arrish sukses.”

Plaçkitja e vendit nga mafia

Brezi i saj shqetësohet gjithashtu për plaçkitjen e vendit nga grupe mafioze, që po kërcënojnë peizazhet ende të paprekura.

“Për brezin tonë, natyra vjen para parave,” thotë Ali Dizdari, student 21-vjeçar.

Ai i referohet ligjit të shkurtit 2024, i cili lehtëson investimet strategjike, veçanërisht në zonat e mbrojtura natyrore dhe me kosto shumë të ulët.

Të lindur pas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, shumë të rinj besojnë se e kanë thyer murin e frikës.

“Të moshuarit ende kanë frikë t’i kundërvihen shtetit, sepse mbajnë ende traumën e së kaluarës,” shpjegon biologia Mikaela Mahilaj, 33 vjeçe.

Megjithatë, prania e një çifti rreth të shtatëdhjetave e zbut këtë analizë.

Ashtu si mijëra shqiptarë, bashkëshortët Ishmi kanë qenë viktima të regjimit më të izoluar të Evropës, të drejtuar nga Enver Hoxha.

“Atëherë ishim të rinj dhe shpërndanim trakte antikomuniste. Na arrestuan dhe na burgosën bashkë.”

“Isha shtatzënë në burg dhe humba vajzën time,” tregon gruaja me shumë përmbajtje.

Të palodhur, këta “demokratë të bindur” marshojnë çdo mbrëmje me bilbila në gojë dhe pankarta në duar.

Nën sloganin “Edi Rama në burg”, ata besojnë se politika e ndjekur gjatë katër mandateve të kryeministrit është shenjë e “rikthimit të diktaturës.”

Ata e akuzojnë gjithashtu se bën një jetë luksoze, krejt ndryshe nga ajo e qytetarëve të zakonshëm.

Në pankartën e gruas së pensionuar shkruhet: “Edi Rama ka blerë një shishe vere për 33.600 euro. Kjo është sa 28 vite pension për mua.”

Shpresa të zhgënjyera

Në fillim të viteve 1990, shumica e shqiptarëve shpresonin për një të ardhme më të mirë për brezat e rinj.

Fredi Muçi, inxhinier civil në administratë, dhe bashkëshortja e tij Frosina Muçi, arkitekte për institucionet publike, kanë dy fëmijë, studimet e të cilëve i kanë financuar jashtë vendit.

“Të gjitha familjet kanë bërë sakrifica të mëdha financiare për këtë,” thotë Fredi.

Por sot familja e sheh të kaluarën me zhgënjim.

“Po ta dinim se edhe pas 35 vitesh tranzicioni nuk do të kishte përfunduar…” thotë pensionisti 74-vjeçar.

“Sistemi që kemi nuk është demokraci,” shton ish-arkitektja 67-vjeçare.

Si rezultat, vetëm djali i tyre është kthyer në Shqipëri, për t’u angazhuar në politikë me partinë e majtë “Bashkë”.

Vajza e tyre më e vogël kthehet vetëm për pushime.

A do të kthehen emigrantët?

A do t’i nxisë emigrantët të kthehen zgjimi qytetar i lidhur me “Revolucionin e Flamingove”, të quajtur kështu për zonat ku shumohen flamingot dhe që rrezikohen nga projektet e familjes Trump?

Krenari, 40 vjeç, mendon se po.

I vendosur në SHBA që nga viti 2010, ai është pjesë e 1.2 milionë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, ose mbi 44% e popullsisë shqiptare, sipas Bankës Botërore.

Ai thotë se u detyrua të largohej për shkak të korrupsionit.

“Nëse kjo protestë ka sukses, do të kthehemi pa asnjë hezitim,” thotë ai.

Megjithatë, në krye të qeverisë, Edi Rama mbetet i palëkundur, duke akuzuar protestuesit se po zhvillojnë “një luftë hibride të drejtuar nga jashtë.”

Në kulmin e protestave, ai miratoi gjithashtu 4 milionë euro para publike për ndërtimin e një stadiumi të përkohshëm për koncertin e reperit amerikan Kanye West, të cilit i është ndaluar të performojë në shumë vende evropiane për deklaratat e tij antisemite.

Edhe ky vendim, ashtu si projektet e familjes Trump, ka zemëruar protestuesit.

Julian Bregu, ish-legjionari francez, ishte kthyer në Shqipëri për të ndërtuar jetën e tij, për të blerë një shtëpi dhe për të rritur djalin.

Por tani gruaja e tij thotë: “Nëse asgjë nuk përmirësohet, do të largohemi. Refuzoj ta shoh djalin tim të rritet në një vend që nuk e respekton.”