Cristiano Ronaldo ka prekur sërish zemrat e tifozëve me një gjest human gjatë vizitës së Al Nassr në Iran.
Superylli portugez u takua me artisten iraniane Fatemeh Hamami, e cila, pavarësisht një aftësie të kufizuar të rëndë fizike, realizon portrete të jashtëzakonshme duke përdorur vetëm këmbët. Hamami, një adhuruese e kahershme e Ronaldos, i dhuroi futbollistit dy portrete të punuara prej saj, duke realizuar kështu ëndrrën për ta takuar nga afër idhullin e saj.
Ronaldo e përshëndeti me shumë ngrohtësi, e përgëzoi për talentin dhe vendosmërinë e saj, ndërsa pranoi me mirënjohje dhuratat artistike.
Si shenjë falënderimi, portugezi i dhuroi Fatemeh Hamamit një fanellë të Al Nassr me numrin 7, të firmosur prej tij, dhe kaloi disa minuta duke biseduar me të, duke e kthyer takimin në një moment tepër emocional.
Pamjet e këtij takimi janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumë tifozë kanë vlerësuar gjestin e Ronaldos si një dëshmi të karakterit të tij edhe jashtë fushës së futbollit.







