Në një takim me demokratët në Dibër, Sali Berisha u ndal tek procesi i zgjedhjes së kryetarit në Partinë Demokratike, duke theksuar se zgjedhjet me një kandidat janë praktikë e zakonshme edhe në vende të tjera.
Ai u shpreh se në shumë raste, figura me peshë nuk hyjnë në garë nëse nuk janë të sigurta për fitore, ndërsa theksoi se çdo kandidat duhet të plotësojë disa kritere për të qenë pjesë e garës.
Duke iu referuar Mereme Sela, Berisha tha se ajo ka marrë 43 vota në qarkun e Durrësit dhe e përgëzoi për pjesëmarrjen, por shtoi se për të drejtuar demokratët duhen prova të tjera, në të kundërt gara bëhet “qesharake”.
Sipas tij, Komisioni që shqyrton kandidaturat ka vendosur se ajo nuk i plotëson kriteret, ndërsa hodhi poshtë edhe pretendimet se PD nuk zhvillon zgjedhje të mirëfillta, duke mbrojtur modelin “1 anëtar – 1 votë” si proces legjitim.







