Ballina Aktualitet Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e tij, nënë Liza sfidon Ramën: Dil bashkë me...

Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e tij, nënë Liza sfidon Ramën: Dil bashkë me qeverinë këtu para popullit dhe jep llogari

77
0

Protesta para Kryeministrisë vijon edhe këtë mbrëmje, në ditën e 59-të të tubimeve të qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë fjalës së saj para protestuesve, nënë Liza, e moshuara që u bë simbol e rezistencës te 5 Maji para gati 5 vitesh, ka bërë thirrje për largimin e qeverisë, duke kritikuar kryeministrin dhe klasën politike.

E moshuara tha se sot endet rrugëve dhe se akoma nuk është bërë gjë për banesën e saj. Ajo kritikoi edhe rolin e policisë gjatë protestave, duke kërkuar që efektivët të mos përballen me qytetarët. Duke folur për vështirësitë ekonomike, ajo tha se të ardhurat e saj mujore nuk i mjaftojnë për shpenzimet bazë. Në fund, protestuesja i bëri thirrje edhe ndërkombëtarëve që të reagojnë për situatën në Shqipëri, duke kërkuar mbështetje për qytetarët.

“Edi Rama, bashkë me qeverinë e tij, po të jenë burra, të dalin sot këtu para popullit dhe të japin dorëheqje. Ata nuk janë burra, por minj që rrinë nëpër kanale. Unë te Kuvendi mendova mos kishte plasur lufta, kishte ardhur serbi. Këtu nuk ka shtet. Një burrë që nuk punon për shtëpinë e vetë, nuk është burrë. Mua më morën zvarrë kur më shembën shtëpinë, as rrobat e trupit nuk mi lanë t’i marrë. Këta nuk janë deputetë! Policia nuk duhet të jetë kundër popullit. Policia të ecë kapelet dhe të bashkohet me popullin. Unë marr vetëm 150 mijë lekë, ca të paguaj më parë, dritat apo ujë?! Këta kanë zgjedhur ca kanë dashur vetë. Unë prej 4 vitesh bredh derë më derë dhe e kam shtëpinë përballë. Askush nuk ka vënë dorë. I bëj thirrje Amerikës dhe SHBA që të vënë duart për shqiptarët.”, tha ajo.