Ermal Beqiraj është kthyer në qendër të vëmendjes pas zhvillimeve të fundit në Francë, ku sipas raportimeve mediatike ai është ndaluar pas një incidenti të dyshimtë pranë një centrali bërthamor, ndërsa në Shqipëri ai rezulton një nga personat e përfshirë në hetimin e SPAK për aferën miliona eurosh të tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Beqiraj, pronar i kompanisë ‘Soft & Solution’, është një prej emrave të hetuar nga Prokuroria e Posaçme në dosjen për procedurat e prokurimit në AKSHI. SPAK ka lëshuar urdhër arresti ndaj tij, në kuadër të hetimeve për manipulime me tenderat publikë dhe veprimtarinë e një grupi të dyshuar të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet se së bashku me drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, Armand Frangu, baxhanaku i Edi Ramës, Ergys Agasin, dhe biznesmenë të tjerë kanë paracaktuar tenderat dhe kanë kërcënuar biznesmenë të tjerë që të tërhiqeshin.
Ata akuzohen edhe për pengmarrjen e biznesmenit tjetër, Geron Meçe dhe kërcënimin për tërheqjen nga gara në tendera.
Biznesmeni i teknologjisë ishte shpallur në kërkim pas operacionit të SPAK për çështjen AKSHI, ndërsa Gjykata e Posaçme ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për të.
Arrestimi i tij në Francë dhe dyshimet për spiunazh, e kanë rikthyer emrin e tij në qendër të vëmendjes publike.
Për vite me radhë, Ermal Beqiraj ka operuar në tregun e teknologjisë së informacionit përmes kompanisë ‘Soft & Solution’, duke u bërë një nga kompanitë më aktive në kontratat publike të sektorit digjital.
Pikërisht kontratat me AKSHI-n janë bërë objekt i hetimit të SPAK, i cili ka marrë në shqyrtim procedura tenderimi me vlera të konsiderueshme financiare.
Sipas hetimeve të bëra publike, dyshimet lidhen me mënyrën e zhvillimit të garave, kriteret e tenderëve dhe pretendimet se kompani të caktuara mund të kenë pasur avantazh të paracaktuar në proceset e prokurimit.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar, pasi administron një pjesë të madhe të infrastrukturës digjitale dhe shërbimeve elektronike publike.
Për këtë arsye, hetimi mbi tenderët e AKSHI-t ka marrë përmasa të mëdha, pasi prek jo vetëm fondet publike, por edhe sigurinë dhe funksionimin e sistemeve digjitale shtetërore.
Nga dosja e AKSHI-t te incidenti në Francë
Sipas medias franceze JDD, një shtetas shqiptar i identifikuar si Ermal B. u ndalua pasi një avion i vogël civil kaloi në mënyrë të dyshimtë mbi centralin bërthamor të Penly, në Seine-Maritime.
Sipas raportimeve, hetuesit francezë kanë ngritur pikëpyetje për itinerarin e fluturimit, uljen e avionit nën nivelin e lejuar mbi një objekt strategjik dhe faktin se gjatë kontrollit fizik iu gjetën tre pajisje gjurmimi ‘AirTag’.
Autoritetet franceze po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe nëse bëhet fjalë për një shkelje teknike apo për një veprim të organizuar.
Nga njëra anë, një biznesmen i teknologjisë i lidhur me një nga dosjet më të rëndësishme të SPAK për tenderët publikë; nga ana tjetër, një incident ndërkombëtar që ka përfshirë një objekt strategjik francez.
Tashmë, emri i Ermal Beqirajt ndodhet në qendër të dy hetimeve që prekin dy fusha sensitive: fondet publike dhe sigurinë kombëtare franceze.







