Protestuesit kanë zgjedhur edhe këtë herë simbolikën dhe ironinë për të përcjellë mesazhet e tyre kundër Edi Ramë gjatë protestës së 35-të kombëtare.
Në bulevard u shfaq një tortë gjigante në formën e një bunkeri prej betoni, e shoqëruar me flamingo, simbol dhe identitet i kësaj lëvizjeje qytetare. Teksa torta për ditëlindjen e kryeministrit parakalonte mes turmës, protestuesit i këndojnë njëzëri: “Edhe 100 vite në burg” ‘Shumë burg për ty’
Në protestën e sotme, e cila ka regjistruar një pjesëmarrjen e mijërave qytetarëve dhe shqiptarëve të diasporës, kanë dominuar thirrjet “Rama në burg”,“Shqipëri e re”, “Dorëheqje” dhe “Lironi çunat”, në mbështetje të protestuesve të arrestuar pas përplasjeve me policinë gjatë tubimit të mëparshëm.
Ashtu si çdo ditë, protesta ka vijuar me fjalime të qytetarëve nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, ndërsa bulevardi është mbushur me flamuj kuqezi, flamuj amerikanë – në ditën e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së si edhe me flamingot, që vazhdojnë të jenë simboli më i spikatur i kësaj lëvizjeje proteste.







