Vendimi për të lënë trafikun e drogës dhe për të nisur një jetë të re me një punë të rregullt i kushtoi gati jetën një 25-vjeçari shqiptar në Itali. Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, i riu u qëllua me armë pasi refuzoi të vazhdonte aktivitetin kriminal me grupin ku bënte pjesë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 1 korrikut në Mirano, pranë Venecias. Sipas Prokurorisë, 25-vjeçari kishte gjetur punë në kantierë ndërtimi në Venecia dhe nuk donte më të merrej me shitjen e drogës. Ky vendim, sipas hetuesve, solli përplasjen me organizatën, e cila fillimisht ushtroi presion dhe më pas organizoi një sulm ndaj tij.
Hetimet zbuluan se kjo nuk ishte hera e parë që ai vihej në shënjestër. Mes fundit të shkurtit dhe fillimit të marsit, persona të armatosur kishin qëlluar edhe ndaj tij dhe të dashurës së tij. Për t’i shpëtuar plumbave, çifti ishte strehuar në rulotën ku jetonte, në pronën e babait të vajzës.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, mbrëmjen e 1 korrikut 25-vjeçari u përball në rrugë me dy shqiptarë, Luigj Makaj, 44 vjeç, dhe Armiol Gjoka, 40 vjeç, i njohur me nofkën “Molli”. Hetuesit dyshojnë se Makaj ishte organizatori i atentatit, ndërsa Gjoka personi që hapi zjarr.
Kur i kërkuan të ndalonte për të folur, i riu u largua me vrap. Ai u ndoq dhe u qëllua nga një distancë e afërt, me plumbin që e goditi në zonën mes qafës dhe shpatullës. Sipas hetimeve, ndërsa 25-vjeçari ishte i plagosur në tokë, njëri prej autorëve i drejtoi armën në kokë. Të dy u larguan vetëm pasi në vendngjarje u thirrën shërbimet e emergjencës.
Pas një muaji në arrati, karabinierët i arrestuan të dy shqiptarët gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit. Hetimi u mbështet në përgjime, ndjekje dhe analizimin e komunikimeve telefonike dhe në rrjetet sociale.
Dy të arrestuarit akuzohen për tentativë vrasjeje dhe, me urdhër të Prokurorisë, janë dërguar në dy burgje të ndryshme, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.







