Ballina Ekonomia Falimentimi, bizneset në vështirësi pa sistem shpëtimi, rikuperohet vetëm 13% e vlerës

Falimentimi, bizneset në vështirësi pa sistem shpëtimi, rikuperohet vetëm 13% e vlerës

58
0

Bizneset shqiptare në vështirësi financiare mbeten pa një sistem paralajmërimi të hershëm dhe pa politika të posaçme që t’i ndihmojnë të ristrukturohen përpara falimentimit. Edhe pas mbylljes së procedurës, mungon një program shtetëror që t’u japë sipërmarrësve një “shans të dytë”.

OCED, në raportin “Indeksi i Politikave për NVM-të në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi 2026 – Profili Ekonomik i Shqipërisë” thotë se norma e rikuperimit të kredisë në procedurat e falimentimit në Shqipëri është vetëm 13%, kundrejt rreth 40% në Bashkimin Evropian.

Vlerësimi i Shqipërisë për politikat e falimentimit dhe “shansit të dytë” ra nga 2.98 në 2.77 pikë, nën mesataren prej 2.97 pikësh të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Biznesi duhet ta kuptojë vetë se po shkon drejt falimentimit

Rapori thekson se Shqipëria nuk ka një sistem formal që të identifikojë herët bizneset me probleme financiare dhe t’i drejtojë drejt këshillimit, ristrukturimit të borxhit apo financimit emergjent.

Në mungesë të tij, bizneset duhet ta kuptojnë vetë përkeqësimin e situatës. Për ndërmarrjet e vogla, që shpesh nuk kanë staf financiar ose juridik, ndërhyrja mund të vijë vetëm pasi problemet janë rënduar.

Po kështu, Strategjia për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve 2021–2027 nuk përmban masa të posaçme për parandalimin e paaftësisë paguese. Programet si “SME Reboot” dhe “Youth in Business” ofrojnë financim dhe asistencë, por nuk përbëjnë një sistem shpëtimi të hershëm.

Rezultati për masat parandaluese ra nga 3.10 pikë në vitin 2022 në 2.86 pikë.

Ristrukturimi lejohet vetëm kur falimentimi është pranë

Bizneset mund të përdorin procedurë të përshpejtuar jashtëgjyqësore vetëm kur falimentimi është i afërt.

OECD vlerëson se ky kriter është kufizues, pasi bizneset që parashikojnë vështirësi në muajt e ardhshëm nuk mund të përdorin një procedurë të thjeshtuar parandaluese.

Përdorimi i mekanizmit mbetet i ulët dhe nuk ka të dhëna për numrin e bizneseve që e kanë ndjekur, marrëveshjet e arritura apo falimentimet e shmangura. Mungojnë gjithashtu rregulla që të lehtësojnë financimin e ri gjatë ristrukturimit, thuhet në dokument.

Procedurat mbeten manuale

Sipas raportit, ligji shqiptar parashikon procedura të përshpejtuara, afate për kreditorët dhe mundësinë e miratimit të planeve të riorganizimit edhe pa pëlqimin e të gjitha kategorive të tyre.

Megjithatë, procedurat e likuidimit mbeten kryesisht manuale dhe që prej vitit 2022 nuk janë futur mjete digjitale për të rritur shpejtësinë dhe transparencën.

Ndërkohë, rezultati për procedurat e mbijetesës dhe falimentimit ra nga 3.24 në 2.93 pikë, për shkak të mungesës së procedurave të thjeshtuara dhe monitorimit të dobët.

Të dhënat e fundit për kohëzgjatjen i përkasin vitit 2019

Institucionet nuk kanë të dhëna të përditësuara për kohëzgjatjen dhe koston e falimentimeve. Informacionet e fundit për kohën e mbylljes së procedurave i përkasin vitit 2019, ndërsa faqja e Agjencisë së Falimentimit rezulton jofunksionale.

Nga rreth 160 tregues të kërkuar nga OECD, Shqipëria ka raportuar kryesisht numrin e procedurave të mbyllura gjatë viteve 2021–2024.

Po ashtu, mungojnë të dhënat për kostot, procedurat e reja, çlirimin nga borxhet, kreditë me probleme dhe vonesat e pagesave, duke e bërë të vështirë matjen e funksionimit të sistemit.

Sipërmarrësit pa program për të rifilluar aktivitetin

Oecd thekson se Shqipëria nuk ka një program të posaçëm që të ndihmojë sipërmarrësit e ndershëm të rifillojnë aktivitetin pas falimentimit.

Ligji nuk përcakton një periudhë maksimale të qartë për çlirimin nga borxhet dhe nuk dallon drejtpërdrejt ndërmjet falimentimit nga mashtrimi dhe dështimit për shkak të kushteve të tregut.

Ndërkohë, vlerësimi për promovimin e “shansit të dytë” u rrit nga 2 në 2.20 pikë, por mbetet i ulët. Gjatë viteve 2022–2024, një program i UNDP-së mbështeti 165 ndërmarrje të vogla të mesme, por ndihma nuk u kthye në një mekanizëm të përhershëm.

OECD rekomandon krijimin e një sistemi paralajmërimi të hershëm, thjeshtimin e ristrukturimit, digjitalizimin e procedurave dhe politika që u lejojnë sipërmarrësve të ndershëm të rikthehen në aktivitet./ekofin.al