Ballina Editorial Poliçani është vetëm fillimi i shpërthimit të krizës

Poliçani është vetëm fillimi i shpërthimit të krizës

63
0

Nga Red Varaku

Nuk ka dyshim që ajo që shpërtheu dje në bastionin e Partisë Socialiste Skrapar, ku qytetarët u ngritën kundër një vendimi të qeverisë duke djegur teserat e PS, është një simptomë që tregon krizën e thellë të legjitimitetit ku ka hyrë PS dhe kjo mazhorancë.

Kjo për dy arsye.

E para sepse Skrapari nuk është një bashki e zakonshme. Ai ka qenë për vite me radhë një nga bastionet më të sigurta të Partisë Socialiste dhe në bastione, pushteti nuk mbështetet vetëm mbi votën, por mbështetet mbi identifikimin emocional dhe politik të qytetarëve me partinë.

Pikërisht për këtë arsye, kur revolta shpërthen në një bastion, ajo ka një domethënie krejt tjetër nga një protestë në një zonë tradicionalisht opozitare.

E dyta, djegia e teserës së PS.

Kjo sepse tesera nuk është thjesht një kartë plastike, ajo është simboli i përkatësisë politike dhe kur një qytetar e djeg publikisht, ai nuk refuzon vetëm një vendim të qeverisë, ai refuzon marrëdhënien politike që e lidh me atë parti. Me këtë akt ai shpall dhe deklaron se nuk ndihet më i përfaqësuar prej saj.

Ky është në fakt përkufizimi më klasik i krizës së legjitimitetit.Sepse, legjitimiteti nuk matet vetëm me shumicën parlamentare apo me 800 000 vota, por ai matet me pranimin e vazhdueshëm të autoritetit nga ata që e kanë mbështetur.

Në momentin kur kjo mbështetje fillon të çahet nga brenda, pushteti hyn në një fazë shumë më të ndërlikuar sesa një krizë e zakonshme politike.

Në këtë kontekst lind pyetja: a ka lidhje ky zhvillim me kauzen dhe protestën që po zhvillohet në Tiranë?

Sigurisht që po. Kjo jo vetëm për faktin se një nga tribunet e revoltës në Skrapar ishte Egla Ceno, një nga mbështetëset më të zëshme të protestës , por edhe për faktin se efekti më i madh i një proteste të gjatë nuk është vetëm presioni që ajo ushtron mbi qeverinë, por është se ajo ndryshon perceptimin e qytetarëve dhe krijon bindjen se pushteti mund të sfidohet dhe se kundërshtimi nuk është më thjesht një akt i izoluar që po shprehet vetëm në shesh .

Kur bie kjo barrierë psikologjike, pakënaqësitë që kanë ekzistuar prej kohësh fillojnë të shprehen publikisht dhe ajo që dje qëndronte e heshtur, sot bëhet revoltë.

Pikërisht këtë efekt duket se po jep edhe protesta dhe me sa duket akte të tilla dhe shprehje të tilla të revoltës do të kemi në të gjithë Shqipërinë në ditët dhe muajt në vijim derisa kjo krizë të adresohet si duhet.