Ballina Politika ‘Presidenti shpalli ligji për ratifikimin e marrëveshjes së huasë’, Bardhi: Presidenti Begaj...

‘Presidenti shpalli ligji për ratifikimin e marrëveshjes së huasë’, Bardhi: Presidenti Begaj është bërë noter i akteve të Ramës

57
0

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj të ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huas prej 302 milionë dollarësh. Në një reagim në rrjetete e tij sociale, Bardhi akuzoi kreun e shtetit se ka hequr dorë nga roli i tij kushtetues, duke vepruar si “noter” i vendimeve të mazhorancës.

Ai thekson se, ligji u shpall pavarësisht shkeljeve flagrante të Kushtetutës gjatë procedurës së miratimit në Kuvend, çka dëshmon për përqendrimin e pushtetit në duart e qeverisë dhe dobësimin e mekanizmave të kontrollit institucional.

Bardhi tha se Presidenti kishte detyrimin kushtetues ta kthente ligjin për rishqyrtim, ndërsa paralajmëroi se heshtja e institucioneve po cenon shtetin e së drejtës dhe ndarjen e pushteteve në vend.

Reagimi plote: 

Shpallja nga Presidenti i Republikës, më 30 korrik, e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së huas prej 302 milionë dollarësh, pavarësisht shkeljes flagrante të Kushtetutës gjatë procedurës së miratimit të tij, është një provë e qartë se në Shqipëri Edi Rama ka çmontuar çdo mekanizëm kushtetues të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve.

Në një shtet demokratik, Presidenti i Republikës nuk është noter i vendimeve të qeverisë. Kushtetuta i ka dhënë atij detyrën të verifikojë nëse ligjet janë miratuar në përputhje me procedurat kushtetuese dhe, kur konstaton shkelje, të ushtrojë kompetencën për t’i kthyer ato për rishqyrtim. Ky është një mekanizëm themelor i kontrollit dhe balancës së pushteteve, jo një formalitet protokollar.

Që nga marrja e detyrës nga Bajram Begaj, ky mekanizëm është bërë praktikisht inekzistent. Me përjashtim të një rasti që prekte interesin e tij personal, Presidenti nuk ka kthyer asnjë ligj për rishqyrtim në Kuvend, edhe kur bëhej fjalë për akte me probleme të rënda kushtetuese, të cilat më pas janë konfirmuar si të tilla nga Gjykata Kushtetuese.

Ky nuk është më ushtrim i funksionit kushtetues të Presidentit. Ky është dorëzim i rolit të Kreut të Shtetit përballë vullnetit të qeverisë. Bajram Begaj ka zgjedhur të jetë noter i akteve të mazhorancës socialiste, në vend që të jetë garant i Kushtetutës dhe mbrojtës i ekuilibrit institucional.

Kur Presidenti heq dorë nga kompetencat e tij, Kuvendi funksionon si zgjatim i qeverisë dhe institucionet e pavarura dobësohen ose nënshtrohen, atëherë pushteti nuk ndahet më, por përqendrohet. Dhe përqendrimi i pushtetit në duart e një njeriu të vetëm është kërcënimi më i madh për çdo demokraci.

Demokracia nuk rrëzohet gjithmonë me një akt të vetëm. Ajo gërryhet çdo ditë nga heshtja e institucioneve, nga braktisja e detyrimeve kushtetuese dhe nga pranimi i arbitraritetit si mënyrë qeverisjeje.

Akti i Presidentit të Republikës për të shpallur këtë ligj, pavarësisht shkeljes së dukshme të Kushtetutës në procedurën e miratimit, përbën një tjetër goditje ndaj rendit kushtetues dhe shtetit të së drejtës. Ai dëshmon se institucioni që duhet të ishte garancia e fundit e Kushtetutës ka zgjedhur të mos e ushtrojë këtë përgjegjësi.

E dënoj me forcë këtë akt dhe rolin që Presidenti i Republikës po luan në dobësimin e kushtetutshmërisë, të ndarjes së pushteteve dhe të demokracisë në Shqipëri. Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk ka të drejtë ta trajtojë atë si një pengesë formale përballë abuzimeve me pushtetin.