Policia ka shoqëruar 4 persona lidhur me të shtënat me armë në ajër nga jahti që lundronte në Palasë.
Të shoqëruar janë B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, kur pushues që ndodheshin në zonë njoftuan policinë se nga një jaht ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës.
Burime jo zyrtare bëjnë me dije se gjatë ndjekjes, dy nga personat që ndodheshin në bordin e jahtit, kanë tentuar të afroheshin në breg me gomone për t’i ikur policisë, por pasi kanë parë praninë e efektivëve në tokë, janë kthyer sërish drejt jahtit. Ndërsa, njëri nga personat e tjerë, është hedhur në det, por është kapur më pas nga Policia Kufitare.
Jahti fillimisht kishte marrë drejtimin për në Greqi, por më pas ndryshoi kurs. Në përpjekje për t’i ikur autoriteteve, jahti ka fikur dritat dhe ka vijuar lëvizjen në det, por pas dy orësh ndjekjeje, mjeti u ndalua dhe u dërgua në Portopalermo për kontroll të imtësishëm.
Mjeti lundrues iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm nga forca të shumta policie. Ndërkohë jahti është shoqëruar drejt Porto Palermos.
Njoftimi i policise
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku rreth orës 21:00 është marrë njoftim se, në det, përballë Palasës, dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër nga një mjet lundrues, ju informojmë se:
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë e mundur ndalimi i jahtit në det, përballë Himarës, si dhe shoqërimi i tij së bashku me personat që ndodheshin në bord, konkretisht shtetasit B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, ku nuk u konstatua asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.
Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.







