Ballina Kulturë “Një jetë e mbushur me dritë dhe profesionalizëm!”-Në Kujtim të shkrimtares durrsake...

“Një jetë e mbushur me dritë dhe profesionalizëm!”-Në Kujtim të shkrimtares durrsake Viktori Xhako

70
0

Nga Raimonda Moisiu Sade

Ndarja nga jeta e Viktori Xhakos është një lajm i trishtë që ka prekur thellë miqtë, kolegët dhe gjithë ata që patën fatin ta njihnin. Humbja e një mike dhe kolege të shtrenjtë si Viktori Xhaka lë pas një zbrazëti të madhe, por edhe një dritë të pashueshme përmes kujtimeve dhe trashëgiminë e saj krijuese letraro-artistik që ajo na dhuroi. Viktori Xhako alias Zhorzh Sand nuk ishte thjesht një bashkëpunëtore e shkëlqyer; ajo ishte mishërimi i mirësisë, i përkushtimit dhe i energjisë pozitive që ndriçonte çdo mjedis ku ndodhej. Shquhej për thjeshtësinë e jashtëzakonshme në çdo bisedë dhe sjellje, dhe e shihte letersinë si një mënyrë të sinqertë për t’iu afruar e biseduar njerëzve, la pas miqësi të vërteta dhe një shembull të bukur kolegeje. Pata fatin ta takoj dhe ta intervistoj personalisht, duke zbuluar një njeri me shpirt të madh dhe një thjeshtësi që të afronte menjëherë. Intervista me të mbetet një dëshmi e qartë e dashurisë së saj për fjalën e shkruar dhe respektit që kishte për këdo që e rrethonte. Kujtimi i saj do të mbetet gjithmonë i paharruar në zemrat e atyre që e njohën dhe e lexuan. Në rrugëtimin profesional, Viktori Xhako alias Zhorzh Sand u dallua për integritetin e lartë dhe pasionin e palodhur, ajo kishte aftësinë e rrallë për të bashkuar njerëzit, duke ofruar gjithmonë mbështetje, urtësinë e saj, dhe një buzëqeshje inkurajuese në ditët më të vështira. Si kolege, ajo ishte një shtyllë e besueshme; si mikeshë, një shpirt i bukur  dhe bujar që diti të falte vetëm dashuri dhe mirësi pa kushte. Viktori Xhaka ishte një shkrimtare dhe kolege e dashur, me ndarjen e saj nga jeta, ajo  na  la pas trishtimin, por dhe kujtime të bukura. Ndonëse e përcjellim me dhimbje, trishim e lot, z do të kujtojmë gjurmët e bukura që ajo la pas. Viktori Xhako do të jetojë gjithmonë në zemrat tona përmes punës së saj, vlerave që na transmetoi dhe miqësisë së sinqertë që na dhuroi.

Bota-tjetër e shkrimtares dhe poeteshës durrsake, Viktori Xhakos alias-Zhorzh Sand.

Poetesha dhe prozatorja Viktoria Xhako që njihet me pseudonimin e artit letrar, Zhorzh Sand, ka lindur në qytetin e Durrësit. Prindërit e saj kanë qenë model në jetën e tyre me gjithë varfërinë e tejskajshme edhe për vajzën e tyre, Viktorinë. Poetesha durrsake në moshën 9 vjeçare lexoi romanin e parë “Historia e njeriut të vërtetë” që i la shumë mbresa të cilat vite më vonë i hodhi në vargje. Që nga ajo kohë Viktori Xhako-alias Zhorzh Sand nuk ka pushuar së lexuari, dhe filloi të shkruajë që në moshën 17–18 vjeçe. Krijimet e para letrare të adoleshencës nuk ia ka treguar njeriu, përveç shoqeve, nuk ka patur as ambicie, as inkurajim, dhe ato të gjitha kanë humbur, më pas nisi universitetin, në fakultetin -Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Në vitin e dytë të universitetit lind fëmijën e pare, dhe ashtu nënë me fëmijë mbaroi universitetin në kohën e rregullt për 4 vjet. Ka qenë mësuese e letërsisë në gjimnaz deri sa emigroi  jashtë vendit. Gjatë kohës së mësuesisë asnjë varg nuk ka shkruar, përveç tri tema për sesionet shkencore të arsimtarëve: -Bota e femrës në romanin “Bota ime”, -Një bisedë me personazhet e vëllimit me tregime “Ajo tokë që s’kish të ngopur”, -Heroi pozitiv tek romani “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” Më 9 mars 2010, pas një heshtjeje 42 vjeçare, rinisi të shkruajë dhe që prej asaj dite nuk ka pushuar së shkruari. Në prill 2011-ë botoi në Tiranë vëllimin e parë poetik “Zemër e ngrirë” dhe në maj 2012-ë botoi vëllimin me tregime “DORA E JETËS”, njëkohësisht edhe vëllimin e dytë poetik “TAKOHEMI NË QIELL”. Prej vitesh jeton jashtë Shqipërisë, merret me lulet, shkruan dhe lexon., dhe unë pata kënaqësinë të bisedoja me këtë shkrimtare e poeteshe vitale e tejet të ndjeshme. *(Redaksionale e intervsistes, nga R. Moisiu)

Lamtumirë- Poetja  e Mencurisë, Urtësisë, Dashurisë dhe Dhimbjes!

Lamtumirë mikja ime e mrekullueshme  Viktori Xhako –Zhorzh Sand!

Të Ikurit si Ti mbeten Jetësisht të ardhur!

Ti do tè mbetesh perhere Poetja, dhe Shkrimtarja durrsake mishërimi i mirësisë, i përkushtimit dhe i energjisë pozitive që ndriçonte çdo mjedis letrar e shoqeror!

Prehu e qetë mes ëngjujve të Parajsës!

Qofsh e  paharruar! Ëngjëjt të këndofshin në çdo agim!

U prehtë në paqe!

Pranë familjes Xhako

Raimonda Moisiu-Sade

Author/Freelancer

Florida USA