Ballina Politika Operacioni “Fondatina”: Ja si mbrohen kufijtë sipas Besfort Lamallarit

Operacioni “Fondatina”: Ja si mbrohen kufijtë sipas Besfort Lamallarit

64
0

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka publikuar një spot 45-sekondësh, që me siguri nuk ka kushtuar pak, për t’u treguar shqiptarëve se sa të sigurta janë bërë kufijtë e vendit.

Mesazhi? Një grua ndalohet në kontroll dhe, sipas skenarit, detyrohet të heqë grimin, sepse sistemi paska konstatuar se fytyra e saj nuk përputhet me fotografinë e pasaportës.

Përtej faktit se sistemet moderne biometrike janë projektuar pikërisht për të njohur një person pavarësisht grimit, syzeve, mjekrës apo ndryshimeve të zakonshme të pamjes, spoti arrin të prodhojë një mesazh që të lë pa fjalë. Në vend që të ilustrojë zbulimin e një dokumenti të falsifikuar, kapjen e një personi në kërkim apo ndalimin e një trafikanti, ai zgjedh të dramatizojë… fondatinën.

Madje, për shumëkënd, spoti mund të lexohet edhe si një stereotip ndaj grave: sikur problemi që duhet të zgjidhë teknologjia kufitare shqiptare të jetë grimi i një udhëtareje.

Besfort Lamallari donte të na bindte se kufijtë janë më të sigurt. Në fund na tregoi vetëm se propaganda mund të shkojë deri aty sa ta paraqesë pudrën si sfidë për sigurinë kombëtare.

Tani mbetet vetëm të presim spotin e radhës: si e shpëtoi Shqipërinë kontrolli kufitar nga një buzëkuq “i dyshimtë”./vna