Partia Demokratike ka ngritur akuza ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e kritikuar për zvarritje të pajustifikuar të një çështjeje që, sipas opozitës, ka rëndësi të veçantë kushtetuese.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, përmes një postimi në rrjetet sociale, deklaron se opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese në shtator të vitit 2025, duke kundërshtuar emërimin e ministres virtuale “Diella”.
Sipas Bardhit, edhe pse kanë kaluar gati 12 muaj nga depozitimi i kërkesës, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.
Ai pretendon se shqyrtimi gjyqësor është mbyllur më 26 maj 2026, por institucioni nuk ka respektuar afatin ligjor prej 30 ditësh për publikimin e vendimit të arsyetuar. Sipas tij, kanë kaluar më shumë se 70 ditë nga përfundimi i shqyrtimit pa një vendim të zbardhur.
Për Partinë Demokratike, kjo vonesë cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia kushtetuese. Opozita ngre gjithashtu pikëpyetje mbi funksionimin e institucionit që ka si rol garantimin e respektimit të Kushtetutës.
Deri më tani, Gjykata Kushtetuese nuk ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike.







