Ballina Politika Rama premton “Shqipëria 2030”, Financial Times: Anëtarësimi mbetet larg, vendimin e ka...

Rama premton “Shqipëria 2030”, Financial Times: Anëtarësimi mbetet larg, vendimin e ka Brukseli

45
0

Pas më shumë se një dekade pa pranuar asnjë anëtar të ri, Bashkimi Evropian duket se e ka rikthyer zgjerimin në qendër të agjendës së tij, por mes optimizmit të qeverisë shqiptare dhe realitetit në Bruksel vazhdon të ekzistojë një hendek i dukshëm.

Në një analizë të publikuar së fundmi, Financial Times vlerëson se Shqipëria është ndër vendet që kanë shënuar përparim në procesin e negociatave, krahas Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë. Megjithatë, gazeta britanike nënvizon se brenda vetë Bashkimit Evropian nuk ka ende një konsensus të plotë nëse blloku është gati për një valë të re zgjerimi.

Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaron se Shqipëria ndodhet në “momentin më të mirë” dhe se vendi ka një rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian, analiza e Financial Times kujton se vendimi nuk varet nga Tirana, por nga gatishmëria politike e 27 vendeve anëtare.

Sipas raportit, Mali i Zi mbetet kandidati më pranë anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka nisur mbylljen e kapitujve të parë të negociatave dhe konsiderohet një nga vendet me ritmin më të shpejtë të reformave. Megjithatë, ky progres nuk përkthehet automatikisht në një datë anëtarësimi.

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, argumenton se procesi nuk shihet më vetëm si një çështje reformash ekonomike apo institucionale, por është shndërruar në një prioritet të sigurisë për kontinentin, sidomos pas luftës në Ukrainë.

“Zgjerimi nuk është më vetëm që vendet kandidate të arrijnë nivelin tonë. Sot ai është edhe një politikë sigurie. Ka të bëjë me mënyrën se si ne, evropianët, mund të punojmë së bashku në realitetin e ri botëror”, u shpreh Kos.

Megjithatë, Financial Times thekson se brenda Bashkimit Evropian vazhdojnë debatet për mënyrën se si duhet të realizohet zgjerimi. Franca dhe Gjermania mbështesin një model integrimi gradual, ku vendet kandidate do të përfitonin pjesërisht nga anëtarësimi gjatë zbatimit të reformave. Nga ana tjetër, disa vende aspirante e shohin këtë formulë si një rrezik për ta zgjatur edhe më shumë procesin.

Analiza vëren se muajt e mbetur të vitit 2026 do të jenë vendimtarë. Nëse Mali i Zi arrin të mbyllë kapitujt e negociatave dhe Bashkimi Evropian gjen dakordësi për reformat e brendshme, mund të hapet rruga për një fazë të re zgjerimi. Në të kundërt, paralajmëron gazeta, do të vihej në pikëpyetje besueshmëria e vetë Bashkimit Evropian ndaj vendeve që prej vitesh presin anëtarësimin.

Në këtë sfond, edhe pse qeveria shqiptare e paraqet procesin si një histori suksesi, analiza e Financial Times lë të kuptohet se sfida më e madhe nuk është më vetëm përmbushja e reformave nga Shqipëria, por vullneti politik i vetë Bashkimit Evropian për të hapur realisht derën e anëtarësimit.