Ballina Aktualitet Beralb fitoi 15 mln euro nga bakri shqiptar, por po mbyt fshatra...

Beralb fitoi 15 mln euro nga bakri shqiptar, por po mbyt fshatra të tërë me ndotje

79
0

Rritja e çmimit të bakrit në tregjet ndërkombëtare po sjell shi miliardash për konçesionarin më të madh të këtij minerali në Shqipëri. Shoqëria turke Beralb raportoi se fitimet e saj neto nga aktiviteti në Shqipëri u rritën me 8 herë gjatë vitit të kaluar duke arritur në 1.4 miliardë lekë ose 15 milionë euro me kursin aktual.

Sipas të dhënave nga bilanci i depozituar në QKB, të ardhurat totale nga shitja e bakrit të prodhuar në Shqipëri u rritën me 54 për qind krahasuar me vitin 2024, duke arritur në 5.2 miliardë lekë.

Rritja e fitimeve është gjeneruar kryesisht nga shtrenjtimi i bakrit në tregjet ndërkombëtare. Gjatë vitit të kaluar, çmimi bakrit arriti 12 mijë dollarë për ton nga 9500 dollarë që ishte në vitin 2024.

Kompania parashikon që çmimet e bakrit të qëndrojnë në nivele të larta për shkak të rritjes së madhe të kërkesës për këtë mineral, që diktohet nga rritja e prodhimit të makinave elektrike, por edhe investimet e mëdha në data centerat.

Fitimet në Turqi

Beralb Sha është një shoqëri aksionare e themeluar në shkurt të vitit 2001. Pronari i vetëm i Shoqërisë është Nesko Metal Sanayi ve Ticaret A.S, i regjistruar si një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, themeluar dhe e vendosur në Turqi. Kjo e fundit tashmë zotërohet në masën 100 për qind nga Ekin Maden, me pronar fundor Erol Kohen, një hebre turk.

Sipas të dhënave nga bilanci, Beralb vendosi të shpërndajë gati 8.4 milionë euro nga fitimi i vitit të kaluar si divident për pronarin e saj turk, ndërsa pjesa tjetër e fitimit u kalua për mbulimin e humbjeve të mbartura.

Image

Beralb ka me konçesion shfrytëzimin e tre minierave më të mëdha të bakrit në Shqipëri, Munellën, Lakroshin dhe Karman si dhe uzinën e pasurimit në Fushë-Arrëz. Fillimisht marrëveshja për konçesionin e këtyre objekteve kishte një afat prej 30 vitesh dhe duhet të përfundonte në vitin 2031.

Por në vitin 2017, qeveria shqiptare e zgjati afatin e konçesionit në 42 vjet duke e shtyrë afatin e ri përfundimtar për në vitin 2043.

Shkatërrim fshatrash në Shqipëri

Një muaj më parë, Kisha Katolike i drejtoi një letër të hapur kryeministrit Edi Rama duke lëshuar alarmin për ndotjen katastrofike të lumit Fan nga nga mbetjet që derdhen në rrjedhën e tij nga kompania e pasurimit të bakrit “BERALB” në Fushë-Arrëz.

Në letër, Frat Adreas Walterman ngrinte shqetësimin se lumi Fan është i vdekur, pasi uji i tij nuk mund të përdoret nga banorët as për të ujitur tokat bujqësore, duke shtuar se gjendja ka mbetur e njëjtë prej 18 vitesh.

Image

Kjo është një histori që vazhdon gjatë. Një projekt i financuar nga qeveria suedeze në vitin 2024 gjeti se prania e hekurit në ujë në zonën e Fushë Arrëzit, ishte 7 herë më e lartë se normat e BE-së, ajo e Aluminit 4 herë më shumë, dhe plumbi, më shumë se dy fish mbi normë.

Ekspozimi afatgjatë ndaj këtyre metaleve përbën rrezik serioz për shëndetin publik, pasi këto ujëra të ndotur mund të kontaminojnë edhe ujërat nëntokësor dhe kjo do ishte fatale për banorët që më pas e përdorin si ujë të pijshëm.

Ekspozimi i gjatë përballë ndotjes alarmante që Beralb ka bërë që në zonën e Fushë Arrëzit, ka çuar në shkatërrimin e fshatrave të tërë si Kimëz dhe Kalivar.

Ndërsa fermerët shohin tokën e tyre të kontaminohet papushim dhe bashkë me të edhe rrënimin e jetesës së përditshme, miliardat e pasurisë së tyre nëntokësore fluturojnë në Turqi dhe Kinë./Kapitali