Aeroporti i Vlorës, Pacolli i del kundër qeverisë: “Qytetarët kanë të drejtë ta dinë të vërtetën”
Behgjet Pacolli ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me situatën e krijuar rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke hedhur akuza ndaj mënyrës se si është menaxhuar projekti dhe ndërprerja e kontratës koncesionare.
Pacolli, në cilësinë e përfaqësuesit të MABCO-s, deklaron se kompania ka angazhuar mbi 320 milionë euro në investime, financime, garanci dhe ekspozim financiar për projektin e aeroportit, duke theksuar se objekti ndodhej në fazën përfundimtare dhe po përgatitej për procesin e certifikimit. Sipas tij, situata ndryshoi pasi MABCO-s iu pamundësua hyrja në kantier për gati tre muaj, në prani të Policisë së Shtetit. Pacolli pretendon se gjatë kësaj periudhe punimet mbetën të bllokuara dhe se mungesa e mirëmbajtjes, temperaturat e larta dhe aktet e vandalizmit shkaktuan dëmtime të konsiderueshme në pajisje dhe instalime.
Ai ngre pyetjen se si mund të mbahet përgjegjës investitori për mos përfundimin e projektit, nëse atij i është pamundësuar hyrja në kantier dhe vijimi i punimeve.
“Si mund të fajësohet investitori për mos përfundimin e një projekti, kur atij vetë iu pamundësua hyrja në kantier dhe përfundimi i punimeve?”, shkruan Pacolli.
Sipas tij, pasi kompanisë iu pamundësua përfundimi i veprës dhe nisja e procesit të certifikimit, Qeveria shqiptare ndërmori procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit.
Pacolli deklaron se MABCO kërkon një zgjidhje në përputhje me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe se arbitrazhi mbetet “opsioni i fundit” që kompania dëshiron të ndjekë.
Në reagimin e tij, ai i drejtohet drejtpërdrejt qeverisë, duke paralajmëruar se përgjegjësia për veprimet dhe mosveprimet në lidhje me projektin duhet të mbahet parasysh.
“Zgjidhja është ende e mundur. Vendimi u takon atyre!”, shkruan Pacolli.
Në fund të postimit, ai paralajmëron se MABCO do të nisë publikimin e një serie materialesh që, sipas tij, do të paraqiten në mënyrë kronologjike dhe transparente.
“Çdo ditë në mënyrë kronologjike do t’i publikojë faktet, emrat e personave, dokumentet dhe datat e ngjarjeve, si dhe përgjegjësitë e secilit”, deklaron Pacolli.
Ai e mbyll reagimin me një mesazh të drejtpërdrejtë:
“E vërteta nuk ka nevojë për propagandë. Ajo ka nevojë për fakte.”
Reagimi i Pacollit vjen në një kohë kur e ardhmja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës mbetet në qendër të debatit, ndërsa përplasja mes palëve për përgjegjësitë dhe fatin e kontratës koncesionare vijon.







