Ballina Aktualitet Aktivisti Edison Lika nga protesta para Kryeministrisë: Shqiptarët kanë marrë në dorë...

Aktivisti Edison Lika nga protesta para Kryeministrisë: Shqiptarët kanë marrë në dorë fatin e tyre, Diaspora e gatshme të kthehet!

72
0

Aktivisti Edison Lika, duke folur nga protesta para Kryeministrisë, deklaroi se një pjesë e diasporës do t’i bashkohet protestës në Tiranë në datat 14-16 gusht. “Diaspora do të jetë me ne në shesh nga 14-16 gusht. Sot jemi në mesin e gushtit, në mesin e vapës, por më të bashkuar se kurrë”, u shpreh Lika.

Ai tha se protestuesit kundërshtojnë disa prej politikave dhe nismave të qeverisë, duke përmendur paketën e maleve dhe ligjin për zonat e mbrojtura. “Ne nuk jemi pro Paketës së Maleve, ligjit për zonat e mbrojtura, pasi jemi për mbrojtjen e vendit tonë. Nuk jemi për një qeveri që largon qytetarët e vet”, deklaroi aktivisti. Lika theksoi se diaspora është e gatshme të rikthehet në Shqipëri sa herë që vendi ka nevojë.

“Kjo diasporë është e gatshme që të kthehet në vendin tonë, sa herë ka nevojë vendi. Ne jemi këtu për të gjithë ata që duan të kthehen dhe ata që duan të ikin. Ikja nuk është alternativë, por qëndresa”, tha ai.

Sipas tij, për vite me radhë vendimet për jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve janë marrë nga një grup politikanësh, por tashmë qytetarët po kërkojnë të marrin vetë në dorë fatin e tyre. “Prej vitesh ua kemi lënë në dorë disa politikanëve tanë maskarenj, që kanë vendosur për ne se ku duhet të rrimë, ku duhet të punojmë dhe ku duhet të emigrojmë. Por jo më! Shqiptarët e kanë marrë në dorë fatin e tyre”, u shpreh Lika. Në fund, aktivisti e cilësoi lëvizjen qytetare si një proces ndryshimi, duke deklaruar: “Nuk themi kot se Shqipëria po bën revolucion!”