Ballina Politika Prishtina nuk mund të barazohet me Ukrainën, pavarësia e saj nuk cenon...

Prishtina nuk mund të barazohet me Ukrainën, pavarësia e saj nuk cenon të drejtën ndërkombëtare

63
0

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me vizitën e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Serbi, duke e cilësuar dialogun si të mirëpritur, por duke paralajmëruar kundër çdo përpjekjeje për të vendosur paralele mes Kosovës dhe situatës në Ukrainë.

Në qëndrimin zyrtar, MEPJ rithekson mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe të ardhmen evropiane të Ukrainës, si dhe për sovranitetin, pavarësinë dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

Sipas Tiranës zyrtare, Kosova dhe Ukraina përfaqësojnë dy raste krejtësisht të ndryshme dhe çdo përpjekje për t’i barazuar ato është “e gabuar, oportuniste dhe thellësisht mashtruese”.

MEPJ nënvizon se çështja e Kosovës mbështetet në themelet e veta historike, politike dhe ligjore. Në këtë kontekst, i referohet edhe opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila, pas kërkesës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Në të kundërt, Shqipëria e cilëson agresionin rus ndaj Ukrainës si një shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të së drejtës ndërkombëtare dhe të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Në deklaratë theksohet se një Ballkan Perëndimor paqësor, i qëndrueshëm dhe evropian kërkon pranimin e realitetit dhe pakthyeshmërisë së pavarësisë së Kosovës.

Shqipëria shprehet gjithashtu në favor të një të ardhmeje të përbashkët evropiane për Serbinë dhe Kosovën. Sipas Tiranës, normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, i cili në fund duhet të çojë drejt njohjes së ndërsjellë, nuk do ta dobësonte Serbinë, por do të ndihmonte në mbylljen e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së rajonit.

Në këtë kuadër, MEPJ e sheh vizitën e Zelenskyt në Serbi si një zhvillim që i shërben para së gjithash interesave të Ukrainës. Njëkohësisht, Shqipëria vlerëson pozitivisht çdo hap që mund ta ndihmojë Serbinë të largohet nga ndikimi rus dhe të afrohet më tej me Evropën.

Në përfundim, theksohet se çdo angazhim diplomatik në rajon duhet të shfrytëzohet për të forcuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. Mesazhi i Shqipërisë është i qartë: Ballkani Perëndimor duhet të ecë përpara drejt paqes, stabilitetit dhe integrimit evropian, dhe jo të rikthehet te ndarjet dhe konfliktet e së kaluarës.