Ballina Politika Kruja nën flakë, Kalaja: Qeveria e papërgatitur, dy helikopterë nuk mjaftojnë për...

Kruja nën flakë, Kalaja: Qeveria e papërgatitur, dy helikopterë nuk mjaftojnë për shuarjen e zjarrit

57
0

Kruja u përfshi nga flakët mbrën e kaluar, në një prej netëve më të vështira për banorët, me shtëpi të rrezikuara, evakuime dhe një terren ku ndërhyrja e forcave zjarrfikëse u vështirësua nga era dhe mungesa e mundësisë për ndërhyrje nga ajri gjatë natës.

I ftuar në një studio televizive, Aulon Kalaja u shpreh se qeveria nuk ka pasur kapacitetet e nevojshme për t’u përballur me përmasat e zjarrit në Krujë, ndërsa dy helikopterë janë të pamjaftueshëm për shtrirjen e gjerë të flakëve në malin e Krujës.

Kalaja tha se ndërhyrja në terren ka qenë tejet e vështirë për shkak të terrenit malor dhe erërave të forta, ndërsa paralajmëroi se vatrat e zjarrit mund të riaktivizohen gjatë natës.

Kalaja solli në vëmendje edhe situatën në lagjen Varosh, ku tre banesa të fisit Kau u vunë në rrezik nga flakët, ndërsa banorët luftuan deri në orët e para të mëngjesit për të shmangur përhapjen e zjarrit.

Ai theksoi se orët e ditës janë vendimtare për shuarjen e vatrave dhe kërkoi një angazhim më të madh të strukturave shtetërore përpara se errësira ta bëjë ndërhyrjen edhe më të vështirë.

Pjesë nga deklarata:

Të them të vërtetën, kanë qenë orë të tmerrshme, orë ankthi të banorëve të qytetit të Krujës. Është bllokuar trafiku totalisht në vendet e caktuara, është ngritur perimetri i policisë, i postoblloqeve. Nga ana tjetër, janë evakuuar banorët, pra kemi shkuar deri në pikën e evakuimit të banorëve. Ndërkohë, unë kam mundur të avancoj për të shkuar deri në pikën ku zjarrfikësit po luftonin drejtpërdrejt me flakët e zjarrit.

Lagjja më problematike ka qenë lagjja Varosh, që njihet ndryshe, aty ku rrinë pak a shumë edhe krutanët e vjetër, pjesa që çon për në malin e Krujës. Nga zonat më të vështira, faktikisht, sepse është një zonë totalisht malore, është një zonë e cila ka një rrezikshmëri të lartë për sa i përket zjarreve, por edhe monitorimit apo ndërhyrjes së elementëve të zjarrfikëses në këtë zonë.

E kam kaluar natën me banorët aty. Kanë qenë shumë të shqetësuar. Kemi luftuar deri nga ora 5:30 e mëngjesit, ku u ndjenë të sigurt, për tre shtëpi të cilat kanë qenë shumë të rrezikuara. Janë, në fakt, tre shtëpi të një fisi me mbiemrin Kau, të cilët kanë qenë në daljen e shtëpisë dhe duke pritur me ankth në asfalt, pra në rrugë të madhe, dhe duke parë mënyrën se si po ndërhynin zjarrfikësit.

Faktikisht, kur kam shkuar aty, kemi vendosur një lloj komunikimi me ministrat, të cilët kanë qenë aty bashkë me banorët, për t’u treguar shtigjet, sepse ata, sigurisht që forcat, kishin ardhur për të shuar zjarrin, por nuk dinin momentin se ku të hynin në lagje, sepse keni parasysh që shtëpitë private kanë tre-katër hyrje, apo jo? Dhe u desh ndihma e banorëve për t’i orientuar në zgjatimin e zorrës së zjarrfikëses rreth 100 metra, për shembull, që ata të ndërhynin.

Vështirësitë kanë qenë shumë të mëdha, sepse frynte një erë shumë e fortë, era e faqes së malit të Krujës, që është një erë tradicionale që fryn në atë zonë, dhe gjë që nuk i mbështeti banorët për të shuar flakët e zjarrit. Disa prej banorëve kanë qenë me mjete rrethanore, por pastaj u dha urdhër që ata të iknin nga vendi.

Pra, ky kombinim i banorëve dhe i forcave zjarrfikëse e i ushtrisë, besoj që ka qenë deri diku i suksesshëm për sa i përket shtigjeve, për të kuptuar se ku mund të fiken flakët e zjarrit.

Nga ora 5:30 e mëngjesit të ditës së sotme u pa qartë që, nga ajo që u quajt si një shtëpi që do të digjej dhe do të përfshihej nga flakët, Zoti, zjarrfikëset, gjithçka tjetër bëri mrekulli dhe mori kthesë 90 gradë, dhe flakët e zjarrit morën një drejtim komplet tjetër, pra jo nga zona e banuar, por nga zona tjetër, duke djegur pishat, duke bërë dëme natyrore, por jo te këto tre shtëpi, të cilat realisht kanë qenë shumë të rrezikuara.

Kështu që, nga ora 5:30 e mëngjesit, u shuan flakët e zjarrit që rrezikonin drejtpërdrejt shtëpitë.

Unë, faktikisht, i kam nisur regjisë tuaj edhe një material ku jemi futur për herë të parë me banorët në shtëpitë e tyre, për sa i përket momentit, sepse ka qenë moment shumë emocionues, ku kanë qenë fëmijë, gra të cilët prisnin me ankth, edhe moshë e tretë, se çfarë po ndodh me shtëpitë e tyre. Kontrollonin tarracën, verandën, oborrin e të tjera, për të kuptuar se çfarë dëmesh ka sjellë zjarri. Por, fatmirësisht, ata dolën faqebardhë nga e gjithë kjo histori.

Ndërkohë, më vonë kam zbritur tek stadiumi i ekipit të Kastriotit në Krujë, një stadium totalisht i rrënuar, me dalje jashtë përdorimit, jo për shkak të zjarrit, po për shkak të harresës që i ka lënë bashkia e qeveria ekipit të Kastriotit, por nga aty dukej qartë se vatrat e zjarrit që kanë qenë aktive në Krujë, faktikisht, nuk janë më aktive dhe aq agresive sa ç’ishin ditën e djeshme.

Ne tani po futemi avash-avash në orën e 24-t të flakëve të zjarrit. Kruja ka një terren të thepisur dhe keni parasysh që është shumë e vështirë ndërhyrja, qoftë edhe nga ajri, për shkak të erërave.

Unë kam filmuar praninë e dy helikopterëve, të cilët kanë funksionuar deri në një orar të caktuar, sepse pastaj, gjatë orëve të mbrëmjes, kur ka filluar të bjerë errësira, ato janë larguar dhe këtu ka qenë vështirësia, sepse banorët me të cilët diskutoja thonin që ne nuk kemi qenë të rrezikuar gjatë ditës, por fakti që janë larguar helikopterët, për shkak se nuk shikonin natën dhe nuk kishin fushëpamje, atëherë vatrat e caktuara të zjarrit që dukeshin të papërfillshme kanë dalë dhe kanë shkuar drejt shtëpive të banorëve.

Në këto momente, sigurisht që zjarrfikëset e kanë shumë të pamundur në raport me helikopterin. Por gjithsesi, në orët e para të mëngjesit, kur kam qenë në terren, pra rreth orës 6:00 të mëngjesit, kam parë lëvizjet e para të një helikopteri, i cili merrte ujë nga një rezervuar afër Krujës, liqeni i Barunit që quhet aty, dhe shkonte drejt malit të Krujës për të goditur vatrat e zjarrit.

Vatrat e zjarrit janë patjetër që janë aktive, por sigurisht që ata po punojnë dhe janë në terren. Gjithsesi, e kam kërkuar shtetin nga jashtë brenda. Me ju thënë të vërtetën, në pamjet apokaliptike që na ka dhënë Kruja mbrëmë, gjykoj që e ka pasur të pamundur forcat tona për ta kryer një operacion të tillë.

Falënderoj të gjithë ata vullnetarë që kanë marrë pjesë. Nuk e keni idenë se çfarë solidariteti ka pasur nga krutanët ditën e djeshme, të cilët hapën edhe shtëpitë e tyre për banorët që u evakuuan nga flakët e zjarrit, se jo e gjithë Kruja ka qenë në rrezik, ka qenë një pjesë e Krujës.

Pra, lagjet Llubane, Ali Lam, lagjja e Abazes, që është djegur e para fare, sepse aty ka nisur zjarri, pra nga lagjja Abaze, rrugës që çon për malësinë e Krujës, në Qafë Shtamë, ka hipur zjarri në drejtim të malit të Krujës dhe aty ka rrezikuar edhe lagjen Varosh, që është lagjja për të cilën po flisja deri tani.

Pra, falënderoj të gjithë ata vullnetarë që e kanë marrë përsipër dhe gjykoj që dy helikopterë, të cilët e kanë marrë përsipër shuarjen e zjarrit, janë shumë pak në raport me shtrirjen e gjerë të malit të Krujës. Pra, është një mal shumë i gjerë, siç njihet ndryshe, mali i Skënderbeut. Në majë të saj ka atë pikën e pelegrinazhit, Sari Salltikun.

Po, sepse zjarri po përparon në ato lloj drejtimesh, pra nga poshtë-lart, kështu që duhet parë me shumë vëmendje ky moment. Nuk e them as për panik, as për gjë. Kam qenë në terren dhe i kam parë gjërat nga afër. Duhet që helikopterët të ndërhyjnë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të jenë më shumë se pesë helikopterë, të cilët…

Po, e ka, sepse është historike, domethënë kjo lloj ere aty, sepse ndryshon temperatura nga Fushë-Kruja në Krujë, ose nga Kruja në Tiranë. Kruja është gjithmonë më e freskët dhe ka erë, sepse është dhe vend më mbi nivelin e detit.

Por ajo që dua të them tani: ne duhet të punojmë shumë fort orët e mëngjesit dhe orët e ditës për t’i paraprirë natës. Pra, nuk duhet të kemi vatra zjarri natën, sepse janë të paparashikueshme. Pra, në atë moment që ti bie në paqe dhe mendon që gjithçka ka mbaruar, aty aktivizohet zjarri tek ullishtet.

Sepse ullishtja e mban zjarrin nga brenda, pra pema e ullirit, dhe dihet që zona e Skënderbeut, Kruja, është e mbuluar nga ullinjtë, sepse ishte pema e paqes dhe çdo çift që martohej në Krujë kishte për detyrë që të mbillte aty ulli, dhe qyteti i Krujës është i mbuluar nga ullinjtë.

Dhe është një pemë shumë e rrezikshme në raport me zjarrin, pra ndryshe nga bredhi, nga pisha, që marrin flakë përnjëherë, po pastaj shuhen.

Kështu që këto orë janë të arta për shërbimet zjarrfikëse, për helikopterët, për vullnetarët, për policinë, për ushtrinë. Duhet me punu derisa mos të… Pra, kur të bjerë nata, ata janë të pafuqishëm, jo se nuk punojnë, po nuk kanë rendimentin e ditës, se, për shembull, helikopterët fiken në orën shtatë pasdite, nuk punojnë më. Edhe nga ora gjashtë, kam përshtypjen.

Dhe imagjinoni tani se çfarë duhet të bëjnë zjarrfikëset në një vend pa drita, në një vend që mungon ndoshta energjia elektrike, nuk ka internet, është një mungesë totalisht koordinimi dhe komunikimi.

Prandaj është shumë e rëndësishme shuarja e vatrave të zjarrit tani, në këto momente që flasim, në Krujë, të gjitha vatrat e zjarrit.