Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë.
Deklarata u bë gjatë një vizite në punimet e urës së vjetër hekurudhore në Beograd, ku Vuçiç tha se për këtë çështje janë angazhuar ekspertë, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë. Sipas presidentit serb, kjo mundësi po shqyrtohet në lidhje me atë që ai e cilësoi si trajtim të serbëve në Kosovë.
“Ne tashmë kemi ftuar ekspertë që merren me këtë çështje, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë. Kur po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim – kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibërit dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiç.
Ai theksoi se Serbia, sipas tij, do të veprojë në përputhje me interesat e saj, duke nënvizuar se vendi është shtet sovran.
“Ne jemi shtet sovran. Ndonjëherë kemi interesa të këtilla, ndonjëherë të tjera dhe në përputhje me to do të sillemi”, tha presidenti serb.
Duke folur për situatën në Kosovë, Vuçiç pretendoi se serbët po përballen me rrethana të vështira dhe se Beogradi po i ndjek nga afër zhvillimet. Në të njëjtën kohë, presidenti serb përjashtoi mundësinë e një përballjeje ushtarake me NATO-n.
“Është shumë e vështirë. Por, a është opsion për ne në këtë moment të hyjmë në luftë me NATO-n? Mendoj se nuk është”, u shpreh Aleksandër Vuçiç.







