Ballina Kosovë Ngërç institucional/ Kosova pa datë për vazhdimin e seancës, Kurti: Marrëveshje, për...

Ngërç institucional/ Kosova pa datë për vazhdimin e seancës, Kurti: Marrëveshje, për të shmangur zgjedhjet

47
0

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 48 orë nga ndërprerja e seancës së së shtunës, pas incidentit me vezët ndaj Albin Kurtit, ende nuk ka një indikacion se kur do të thirret vazhdimi i seancës konstituive. Kryesuesi Avni Dehari ka akuzuar deputetët e opozitës se nuk duan marrëveshje, ndërsa Kurti u ka bërë sërish thirrje partive parlamentare të ulen në dialog.

Kreu i Vetëvendosjes tha se është në komunikim me LDK-në, në përpjekje për të arritur një marrëveshje politike dhe për të shmangur zgjedhjet e reja. Sipas Kurtit, qytetarët nuk duan një proces të ri zgjedhor, por një zgjidhje politike për ngërçin institucional.

“Jemi në komunikim dhe do të përpiqemi çdo ditë që të arrijmë marrëveshje politike, në mënyrë që të shmangim zgjedhjet e panevojshme e të paarsyeshme, sepse ato vetëm sa do të përsëriten. U bëj thirrje edhe njëherë liderëve të partive të tjera që të diskutojmë e të merremi vesh, sepse qytetarët nuk duan zgjedhje, por zgjidhje, e zgjidhja është marrëveshja politike”, është shprehur Kurti.

Përballë deklaratave se procesi institucional po zhvillohet në kundërshtim me Kushtetutën, ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, tha se Vetëvendosje nuk vlerëson se ka shkelje të aktit më të lartë juridik. Ai u bëri thirrje partive opozitare që, nëse kanë pretendime për shkelje, ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne nuk mendojmë që është shkelur Kushtetuta, për shkak të këtyre momenteve dhe proceseve prej zgjedhjeve të shkurtit, ka qenë duke u interpretuar. Nuk është dramatike, është pjesë e formësimit të mëtutjeshëm kushtetues të vendit tonë. Kur do të thirret seanca, nuk mund ta caktoj unë”, është shprehur Konjufca.

Deklaratat u bënë pas hapjes së Konferencës së Ambasadorëve në Prishtinë. Në këtë aktivitet, Kurti e cilësoi Serbinë si rrezikun më të madh për sigurinë e Kosovës, ndërsa presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, kritikoi deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

“Një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohet me partnerët tanë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Siç e dini, Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e sistemit jetik për furnizim me ujë, për energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës.

Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore do të kishte pasoja shumë më tej përtej çështjeve teknike. Do të prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Kosovës. Diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në vendet ku shërbejnë”, është shprehu Haxhiu.

Në konferencën me ambasadorët e Kosovës nëpër botë, Haxhiu u kërkoi diplomatëve që t’u përcjellin partnerëve ndërkombëtarë edhe shqetësimet e Kosovës për dëshmitë e krimeve të luftës. Ndërkohë, në planin e brendshëm, mbetet ende e paqartë kur do të rifillojë seanca dhe nëse partitë do të arrijnë një marrëveshje për zhbllokimin e institucioneve.