Ballina Opinion Përse Zelenski u ktheu shpinën shqiptarëve?

Përse Zelenski u ktheu shpinën shqiptarëve?

60
0

Nga Arben Çejku

Me deklaratat dhe qëndrimet e tij kundër shtetit të pavarur të Kosovës, Zelenski bëri një gabim fatal dhe të panevojshëm, duke u bërë pjesë infuzion politik i fushatës elektorale të autokratit të korruptuar, presidentit serb Vučić. Ai mund të zgjidhte neutralitetin në raport me Kosovën, duke theksuar miqësinë dhe bashkëpunimin me Serbinë, por për fat të keq u shndërrua në një thikë serbe “made in Ukraine” kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve.

Presidenti ukrainas bëri dy gabime fatale, të cilat janë, njëra gjeopolitike dhe tjera diplomatike.

E nisim nga e fundit: Zelenski bëri referencë krejtësisht të gabuar, kur tha se “Ne respektojmë të drejtën ndërkombëtare, prandaj qëndrimi ynë lidhur me deklarimin unilateral të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar”.

Ai dhe qeveria e tij, duhet ta dije se, “e drejta nderkombëtare” i ka dhënë të drejtë Kosovës në shpalljen e pavarësisë dhe ky është fakt juridik. Ky linjezim i qëndrimit të tij me Moskën dhe Beogradin e ka bëre qesharak në sytë e çdo shqiptari presidentin Zelenski! Sa për kujtesë, dokumenti ka këtë referencë: Document No. 141-20100722-ADV-01-00-EN, dated 22 July 2010.

Injorimi i këtij vendimi nuk e nderon një president, vendi i të cilit është nën agresionin rus dhe një ditë po ai do të kërkojë një arsyetim juridik pikërisht nga kjo Gjykatë, atëherë kur të pushojnë armët dhe të nisin bisedimet..

Lidhur me efektin gjeostrategjik të deklaratës së Zelenskit, mund t’i bëhet e qartë se ai, në injorimin e realitetit të shtetësisë së Kosovës, ai u tregua fillimisht hipokrit dhe, natyrisht anti-shqiptar!

Ai e di shumë mirë që Kosova e ka mbeshtetur, aq sa ka mundur atë dhe popullin ukrainas në të drejtën e tyre të vetmbrojtjes.

Në mars 2022 Dzhaparova e MPJ të Ukraines ka falenderuar zyrtarisht MPJ-n e Kosovës.. Ai e di që gjithë shqiptarët, përfshi edhe Shqipërinë e kanë mbështetur atë dhe Ukrainën në kauzën e tyre të drejtë pa asnjë kusht! Por, çuditërisht, në Beograd u ktheu shpinën..duke qëndruar në krah të një homologu, i cili merr oksigjen politik nga Putin! E vetmja gjë që i bashkoi, ishte qasja kundër Kosovës. Zelenski e di shumë mirë se sa afër Moskës dhe sa larg Kievit është Aleksandar Vucić!

Shqiptarët janë përpjekur të kuptojnë vështirësitë e Ukrainës në procesin deri tek njohja e shtetit të Kosovës, por nuk mund të kuptojnë dhe nuk e pranojnë dot një qëndrim kaq armiqësor, si ai që mbajti Zelenski pak ditë më parë në Beograd!

Me deklaratën e tij, ai u rreshtua me armiqtë e Kosovës dhe sigurisht, nuk mund të pranohet më si mik nga shqiptarët kudo në botë! Reagimi mbarëkombëtar shqiptar i këtyre ditëve besoj e ka bindur sado pak, se ne jemi një komb dhe kemi një qëndrim për Kosovën edhe pse dy kryeministrat tanë nuk punojnë bashkë siç e kërkojmë ne..

Nëse Zelenski mendon se vetëm ai di të bëjë “realpolitikë” për interesa të ngushta shtetërore, duke shkelur mbi sovranitetin e shteteve të tjera si Kosova, atëherë mund t’i kujtojmë se edhe Kosova mund të ndryshojë qasjen e saj ndaj Kievit!

Putin ka dashur ta përdorë precedentin e pavarësisë së Kosovës dhe vendimin e GJND-së, në favor të përvetësimit të Krimesë dhe do ishte e lehtë për këdo në Kosovë t’i thonin:, merre Krimenë e bëj ç’të duash me të, mjafton të heqësh veton në OKB për Kosovën! Por kjo nuk ka ndodhur, sepse shqiptarët ende kanë besim tek parimet e Kartës së OKB dhe normat mbi të cilat është ngritur BE dhe demokracia e re.

Ky incident diplomatik, do ishte mirë të mbyllej me një qëndrim të ri zyrtar të Ukrainës, nëpërmjet të cilit të saktësohej qasja pro Kosovës.

Në të kundërt, Ukraina, për faj të presidentit të saj, do ta humbë mbështetjen dhe simpatinë e kombit shqiptar!

Nëse Zelenski beson se i mjafton sjellja hipokrite e ndonjë zyrtari shqiptar, e ka gabim, sepse ajo thjeshtë është pjesë e një akti komik në skenën tragjike të vendit të tij!

Shteti shqiptar duhet që përtej deklaratave formale pubike, t’i nisë notë proteste qeverisë së Ukrainës dhe t’i kujtojë jo vetëm vendimin e GJND-së, por edhe faktin se Kosova është kryefjala e interesave shqiptare dhe kryefjala e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe çdo provokim, do të ketë pasoja në të ardhmen!