Lirohet nga qelia e paraburgimit i moshuari që dyshohet si piroman për vatrat e rrezikshme të zjarrit pranë qytetit të Krujës tre ditë më parë.
Qemal Berhami, i cili dyshohet se lidhet me nisjen e zjarrit në lagjen ‘Abazaj’, është liruar dhe është kthyer në banesë mbrëmjen e kaluar.
Nuk ka detaje për shkakun e lirimit, nëse është për arsye moshe apo mungesë provash, teksa priten informacione të mëtejshme nga hetimet.
Kurse sot (10 gusht) një vatër e vogël zjarri vijon të jetë aktive në lagjen Abazë, pranë zonës ku nisi zjarri masiv që ka përfshirë prej ditësh këtë territor.
Sipas informacioneve nga terreni, në këtë zonë është ndërhyrë disa herë, si nga ajri ashtu edhe nga toka, por zjarri vijon të riaktivizohet.
Dendësia e gjetheve dhe bimësisë e akumuluar ndër vite e vështirëson shuarjen totale të vatrave.
Ndërkohë, dy helikopterë po vijojnë ndërhyrjen nga ajri, duke hedhur ujë mbi vatrat pranë lagjes Abazë dhe mbi lagjen Bojë, në afërsi të Zidollit.







