Trajneri i Manchester Cityt, Enzo Maresca, ka pranuar se do të krahasohet vazhdimisht me paraardhësin e tij, Pep Guardiola, i cili u largua nga klubi pas një dekade të jashtëzakonshme.
Guardiola mbylli aventurën e tij 10-vjeçare te Manchester City këtë verë, pasi fitoi 20 trofe, përfshirë gjashtë tituj të Premier League dhe një trofe të Ligës së Kampionëve.
Maresca, i cili më parë ka punuar si asistent i Guardiolës, mori mbështetjen e spanjollit për ta pasuar atë në stolin e Cityt. Ai tashmë ka nisur punën me skuadrën dhe në tri ndeshjet e para të fazës përgatitore ka regjistruar dy fitore.
Ish-trajneri i Leicester Cityt dhe Chelseat është pyetur për krahasimet e pashmangshme me Guardiolën dhe ka pranuar se trashëgimia e spanjollit do të jetë gjithmonë e pranishme.
“Pas 10 ndeshjeve, nëse kemi 10 pikë, 20 pikë apo 30 pikë, njerëzit do ta krahasojnë këtë me Pepin pas 10 ndeshjeve. Kjo nuk më vendos nën presion”, ka thënë Maresca.
Ai ka vlerësuar maksimalisht Guardiolën, duke theksuar se e konsideron atë trajnerin më të mirë në botë gjatë 15 apo 20 viteve të fundit.
“E kam thënë shumë herë, kur isha te Leicesteri apo Chelsea, se ai është trajneri më i mirë në botë gjatë 15 apo 20 viteve të fundit”, është shprehur Maresca.
Manchester City po kalon në një ndryshim gjenerate
Maresca ka pranuar se detyra e tij nuk do të jetë e lehtë, pasi Manchester City po kalon një periudhë të rëndësishme ndryshimesh pas largimit të disa prej lojtarëve që ishin pjesë e suksesit të madh të epokës së Guardiolës.
“Ne kemi humbur Bernardo Silvan, Nathan Ake dhe John Stones. Rodri ka qenë këtu për shumë vite gjithashtu. Janë lojtarë që kanë qenë pjesë e klubit për shumë kohë”, ka deklaruar trajneri i Cityt.
Megjithatë, Maresca beson se ndryshimi i gjeneratave është pjesë normale e ciklit të një skuadre të madhe.
“Por në fund gjithmonë vjen një ndryshim gjenerate. Ende e kujtoj kohën kur David Silva ishte këtu dhe të gjithë ishin të shqetësuar, por Kevin De Bruyne u ngrit në nivel. Fernandinho u largua dhe Rodri erdhi. Më pas ishte Sergio Aguero – njerëzit ishin të shqetësuar, por Erling Haaland mbërriti. Është normale që të ketë ndryshime”, ka përfunduar Maresca.







