Ballina Politika Ministrja e buzëqeshur Diella është krijesë e Agjencisë nën hetim për korrupsion

Ministrja e buzëqeshur Diella është krijesë e Agjencisë nën hetim për korrupsion

98
0

Nga Lindita Çela

Në shtatorin e kaluar, Shqipëria bëri bujë në mbarë botën kur prezantoi të parën “ministre me inteligjencë artificiale” në botë.

Diella, që në shqip do të thotë “Sun” (“Diell”), ishte një chatbot të cilit i është dhënë statusi i një ministreje. Mandati i saj, njoftoi kryeministri Edi Rama, ishte të garantonte që “tenderat publikë do të jenë 100 për qind të lirë nga korrupsioni”.

“Unë nuk kam ambicie apo interesa personale,” u tha deputetëve avatari me inteligjencë artificiale, i veshur me kostum tradicional, në fjalimin e saj të parë në parlament.

“Unë kam vetëm të dhëna, një etje për dije dhe algoritme të përkushtuara për t’u shërbyer qytetarëve… të lira nga paragjykimet, diskriminimi, klientelizmi, nepotizmi apo korrupsioni.”

Në atë kohë, kishte dyshime nëse Diella mund të ofronte ndonjë zgjidhje reale për problemin e gjatë të korrupsionit në Shqipëri.

Duket se disa nga dyshimet mund të kenë qenë të bazuara. Ekspertët paralajmërojnë se plani i Shqipërisë për të përdorur Diellën si një pengesë ndaj korrupsionit ka mangësi, duke pasur parasysh se informacioni i prodhuar nga inteligjenca artificiale nuk është në mënyrë të natyrshme neutral dhe se deri tani ka pasur pak transparencë mbi mënyrën se si do të përdoret kjo teknologji.

Këto shqetësime janë shtuar edhe më shumë pas hetimeve të SPAK-ut që flasin për korrupsion brenda vetë agjencisë që krijoi chatbot-in.

Image

Sipas prokurorëve, drejtuesit e agjencisë qeveritare që zhvilloi Diellën, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), kanë manipuluar tendera në favor të një grupi kriminal, i cili ka përfituar dhjetëra miliona euro përmes aksesit të privilegjuar në kontratat e agjencisë.

Në këmbim, zyrtarët e AKSHI-t dyshohet se kanë marrë ryshfete që përfshinin edhe kuti vere të mbushura me para. Drejtuesit e agjencisë u arrestuan dhe u akuzuan për shkelje të rregullave të tenderëve publikë dhe bashkëpunim me një organizatë kriminale.

Dy pronarë të kompanive të tjera të teknologjisë së informacionit, njëri prej të cilëve u arrestua në Francë muajin e kaluar, ku u zbulua gjithashtu se zotëronte një kështjellë, janë akuzuar gjithashtu për organizimin dhe bashkëpunimin në këtë skemë.

Ndërkohë, zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës është pezulluar nga detyra, ndërsa hetohet për dyshimet se ka mbuluar ose ka bashkëpunuar me aktivitetet e paligjshme të grupit.

AKSHI, qeveria, si dhe avokatët e Mirlinda Karçanajt, ish-drejtoreshës së AKSHI-t, dhe të biznesmenit Ergys Agasi, nuk iu përgjigjën pyetjeve të OCCRP-së.

Në një intervistë për Top Channel, Karçanaj tha se, nëse dikush brenda AKSHI-t ka shkelur ligjin, ai person duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe jo drejtuesit e institucionit.

Në total, autoritetet urdhëruan sekuestrimin e pasurive, përfshirë pasuri të paluajtshme, automjete, llogari bankare dhe para të gatshme, me vlerë mbi 40 milionë euro, të lidhura me këtë skemë, si pjesë e hetimit në vazhdim.

Zhvillimi i Diellës nuk ishte një nga tenderat e përfshirë në skemën e dyshuar të korrupsionit. Megjithatë, zbulimi se korrupsioni dyshohet se ka prekur nivelet më të larta të agjencisë që e krijoi atë ka shtuar dyshimet mbi aftësinë e kësaj teknologjie për të luftuar këtë plagë.

Shqipëria është nën presion të madh nga Bashkimi Evropian për të çrrënjosur korrupsionin, në mënyrë që të vijojë përpjekjet e saj shumëvjeçare për t’iu bashkuar bllokut. Sipas vlerësimit të fundit nga Brukseli, i publikuar përpara se të shpërthente skandali i AKSHI-t, perceptimi për korrupsionin në sektorin publik mbetet i lartë.

“Edhe inteligjenca artificiale më e sofistikuar është po aq e mirë sa njerëzit që e ndërtojnë, e operojnë, e mirëmbajnë dhe e përmirësojnë atë”, tha për OCCRP Erjon Curraj, ekspert i transformimit digjital në Qendrën SCiDEV, një organizatë kërkimore dhe studimore me bazë në Tiranë.

“Kush i fut të dhënat dhe kush verifikon integritetin e tyre? Kush i zbulon gabimet dhe ‘halucinacionet’ e inteligjencës artificiale përpara se ato të shndërrohen në vendime? Njerëzit që mirëmbajnë një sistem të tillë mund ta ushqejnë dhe ta zhvillojnë atë, ose ta lënë të degradojë ngadalë, pa u vënë re.”

ImageBojan Perkov, Koordinator i Politikave Digjitale në Fondacionin SHARE, një organizatë jofitimprurëse e fokusuar te të drejtat digjitale dhe siguria në Ballkanin Perëndimor, paralajmëroi gjithashtu se pastrimi i shtetit nga korrupsioni “nuk mund të arrihet me asnjë lloj teknologjie ‘magjike’ dhe veçanërisht jo me mjete të inteligjencës artificiale”.

Njoftimet e bujshme për përdorime të reja të teknologjisë “shpesh përdoren për publicitetin e politikanëve”, në vend që të jenë pjesë e një plani strategjik që synon të sjellë “përfitime afatgjata për një shoqëri, e cila duhet t’i ndërtojë mekanizmat e qeverisjes mbi bazën e shtetit të së drejtës”, shtoi ai.

Bashkëpunimi me një organizatë kriminale

Në gushtin e vitit 2025, sipërmarrësi shqiptar i teknologjisë Gerond Meçe doli nga shtëpia e tij në Tiranë dhe u përball me një Land Rover Defender të zi me sirenë policie. Një burrë me uniformë doli nga automjeti dhe thirri emrin e tij, i ka treguar më vonë Meçe autoriteteve. Pamjet e paqarta të kamerave të sigurisë kapën gjithashtu momentin.

“Duhet të vini me ne, hipni në makinë,” kujtoi Meçe se i kishte thënë burri, duke pretenduar se ishte një zyrtar i njësisë shqiptare kundër korrupsionit, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

ImagePor, ndërsa automjeti i madh 4×4 doli nga parkimi dhe burrat i vunë një kapuç mbi kokë Meçes, u bë e qartë se kjo kishte qenë një mashtrim.

“Po ju kërkojmë të bashkëpunoni,” i tha njëri prej burrave Meçes kur makina ndaloi rreth një orë më vonë, sipas dëshmisë që ai dha më vonë për prokurorët e vërtetë të SPAK-ut. “Përndryshe do të keni një plumb në kokë.”

Sipas prokurorëve, rrëmbimi ishte organizuar nga grupi kriminal që kishte drejtuar skemën e ryshfeteve në AKSHI dhe kishte për qëllim të bindte Meçen që të tërhiqte ankesat e kompanisë së tij të teknologjisë ndaj më shumë se një duzine tenderësh të shpallur nga agjencia, e cila në fillim të atij viti kishte prezantuar publikisht Diellën.

Kompania e Meçes ishte ankuar se tenderët, që mbulonin një sërë projektesh, përfshirë krijimin e programeve kompjuterike për institucione shtetërore si policia, dukej se ishin manipuluar në favor të personave të brendshëm.

Sipas dosjes së prokurorisë, ai kishte të drejtë. Prokurorët pretendojnë se rrëmbimi synonte ta detyronte Meçen të tërhiqte ankesat që po pengonin AKSHI-n t’u jepte kontrata bashkëpunëtorëve të dyshuar kriminalë. Pasi Meçe pranoi të tërhiqte ankesat e tij, rrëmbyesit e lanë të lirë.

Kur u kontaktua për një koment, SPAK-u tha se hetimi ishte ende në vijim dhe se çështja nuk ishte dërguar ende për gjykim.

Zhdukja e ryshfetit

Diella u lançua për herë të parë si chatbot në janar të vitit 2025, me qëllimin për të pastruar burokracinë shqiptare dhe për të ndihmuar qytetarët të navigonin portalin qeveritar e-Albania, ku ata mund të aksesonin gjithçka, nga certifikatat e lindjes deri te pensionet.

Prezenca e saj ishte pjesë e përpjekjes së AKSHI-t për të digjitalizuar shërbimet qeveritare dhe për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, të cilin Shqipëria shpreson ta arrijë deri në vitin 2030.

Disa shqiptarë të aftë me teknologjinë i kanë gjetur të dobishme shërbimet e saj.

Klodisa Përnezha, një infermiere 26-vjeçare që jeton në Tiranë, tha se chatbot-i në portalin online ia ka bërë punën më të shpejtë, më efikase dhe më të organizuar.

“Nuk kam më nevojë të pres në radhë në institucione apo të humbas kohë duke shfletuar personalisht për çdo dokument,” tha ajo. “Shumica e shërbimeve tani përfundojnë online, nga shtëpia ose edhe përmes telefonit tim.”

Platforma e-Albania ka sjellë përfitime të qarta edhe për pacientët e saj, tha ajo, duke reduktuar stresin dhe duke minimizuar vonesat.

Por, me 95 për qind të shërbimeve qeveritare që tani ofrohen ekskluzivisht online, disa shqiptarë po hasin vështirësi për ta përdorur vetë ndihmën e Diellës. Kjo ka sjellë shfaqjen e një industrie të vogël ndërmjetësish, të cilët kanë hapur zyra rreth Tiranës për t’i ndihmuar klientët të përdorin portalin kundrejt një pagese.

Disa e shohin këtë shërbim si një formalizim të shtrenjtë të sistemit të vjetër, ku tradicionalisht i jepej një nëpunësi lokal administrativ një kartëmonedhë prej 2,000 lekësh (rreth 20 dollarë) për të përshpejtuar marrjen e një certifikate familjare apo një dokumenti pronësie.

“Përpara e dije kujt t’ia jepje 2,000 lekëshin dhe e merrje shërbimin. Tani e jep pa falënderim. Është e detyrueshme,” tha Bajram Hasxhepa, 66 vjeç, i cili vuan nga diabeti dhe ka humbur pjesën e poshtme të këmbëve 13 vite më parë.

Për Hasxhepën, shteti digjital “pa probleme” duket kështu:

Ai shtyn karrocën e tij 600 metra përgjatë rrugës deri te një dyqan kancelarie që funksionon edhe si pikë private interneti, vetëm për të printuar një certifikatë familjare.

ImageDyqani nuk ka rampë për karrige me rrota, ndaj ai detyrohet të ulet jashtë në trotuar, duke bërtitur të dhënat e tij personale përmes zhurmës së trafikut drejt një punonjësi të ri brenda dyqanit dhe duke paguar rreth 10,000 lekë (123 dollarë) si “tarifë aplikimi” për një dokument që shteti thotë se është falas.

“Diella është shtatzënë

Fusha e përgjegjësive të Diellës është zgjeruar vazhdimisht që kur ajo iu prezantua për herë të parë publikut. Nga fillimet e saj si chatbot për portalin qeveritar online, ajo u ngrit në rolin e ministres së kabinetit në shtator 2025.

Më pas, një muaj më vonë, erdhi një tjetër lajm.

“Diella është shtatzënë dhe po pret 83 fëmijë,” tha me shaka kryeministri në një konferencë ndërkombëtare biznesi në Berlin në tetor.

Image

Këta “fëmijë” digjitalë, shpjegoi ai, do të merrnin pjesë në seancat parlamentare, do të analizonin legjislacionin e BE-së dhe madje do të njoftonin politikanët që mungonin nëse një rival përmendte emrin e tyre, në mënyrë që ata të përgatitnin një përgjigje.

Diella, e cila qëndronte pezull si një xhind modern në një ekran mbi publikun, shtoi edhe mendimin e saj:

“Inteligjenca Artificiale do të ndihmojë në identifikimin e pengesave ndaj investimeve përpara se ato të kthehen në kriza, në zbulimin e rreziqeve të korrupsionit përpara se të bëhen skandale dhe në parashikimin e mundësive të tregut përpara se ato të humbasin.”

Për pensionisten Sadete Suta, e cila ka kaluar vitin e fundit duke paguar ndërmjetës për të komunikuar me Diellën në mënyrë që të sigurojë pensionin e saj, shakaja e Ramës nuk pati të njëjtin efekt.

“Do t’i çojmë ca petulla,” tha ajo me ironi, duke iu referuar traditës lokale për t’u dërguar ushqime të veçanta nënave të reja.

Si pjesë e detyrave të saj ministrore, zyrtarët premtojnë se Diella së shpejti do të monitorojë blerjet shtetërore, do të vlerësojë ofertat dhe do të mbikëqyrë tendera qeveritarë me vlerë miliarda euro.

Megjithatë, detajet e sakta të rolit të saj në gjithë këtë proces ende nuk janë bërë publike.

Kutia e zezë

ImageEkspertët paralajmërojnë se plani i Shqipërisë për të përdorur Diellën si një mburojë kundër korrupsionit ka boshllëqe.

“Diella në mënyrë të pashmangshme do të përzgjedhë, do t’u japë përparësi dhe do të formësojë informacionin mbi të cilin bazohen vendimet politike,” thuhej në një ese të publikuar nga Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë, një institut kërkimor për politikat e jashtme dhe të sigurisë.

“Pyetja, pra, është në çfarë mase gjykimet njerëzore formësohen, kufizohen ose paragjykohen nga këto rezultate.”

Për më tepër, pa mbikëqyrje të qartë ose gjurmueshmëri të “vendimeve” të saj, Diella “rrezikon të shtojë një shtresë tjetër mungese transparence në qeverisje, në vend që ta reduktojë atë”, paralajmëroi instituti.

Curraj, nga Qendra SCiDEV për transformimin digjital, i bëri thirrje qeverisë të krijojë një “sandbox” transparent, një mjedis të sigurt testimi ku teknologjia mund të funksionojë pa rrezikuar ndikimin në botën reale dhe ku akademikët dhe ekspertët e shoqërisë civile mund të ofrojnë reagime dhe sugjerime.

Pa këtë hap, “nuk mund ta lançosh atë në prodhim të drejtpërdrejtë,” tha ai.

Se kush do të mbajë përgjegjësi për vendimet e Diellës, një çështje që opozita e ka ngritur si pjesë të një ankese të depozituar në Gjykatën Kushtetuese, mbetet e paqartë.

Duke iu përgjigjur kritikëve që argumentojnë se algoritmet mund të manipulohen dhe kontrollohen, Rama tha se procesi i vendimmarrjes së Diellës “do të mbetet plotësisht i auditueshëm”.

Vendimet përfundimtare, tha ai, do të merren ende nga zyrtarët bazuar në informacionin që ofron Diella. “Kushdo që dëshiron ta shqyrtojë procesin manualisht do të jetë në gjendje ta bëjë këtë. Asgjë që del nga sistemi nuk do të jetë e pagjurmueshme.”

Por, ndërsa publiku pret më shumë detaje, Diella tashmë është përballur vetë me probleme ligjore.

Në prill, aktorja Anila Bisha, mbi të cilën janë bazuar pamja dhe zëri i Diellës, ngriti një padi kundër qeverisë, duke e akuzuar atë për keqpërdorim të imazhit të saj, pretendim që qeveria e mohon. Bisha tha se kishte dhënë leje që imazhi i saj të përdorej si një asistent virtual i fuqizuar nga inteligjenca artificiale, por jo si një politikane virtuale në qeverinë e Ramës.

ImageAktorja e zbuloi ndryshimin kur po shihte lajmet me bashkëshortin e saj dhe që prej asaj kohe është përballur me ngacmime në rrugë dhe online, i tha ajo OCCRP-së.

“Ka nga ata që më thonë se kam fituar famë. Por unë nuk shoh asnjë famë këtu, madje them që kjo nuk është aspak famë.”

Tani ajo shqetësohet se çfarë mund t’i caktohet Diellës të bëjë më tej.

“Kam frikë se me zhvillimin që ka marrë teknologjia, nuk e di më se në ç’mënyrë tjetër mund të përdorin fytyrën dhe zërin tim,” tha aktorja.

“Të dhënat e mia janë vendosur në treg,” shtoi ajo./ Shteg.org