I lindur në Hungari dhe i emigruar në SHBA që fëmijë, Erik Uajszu bë i njohur si Heri Hudini, ndoshta magjistari dhe mjeshtri i arratisjeve më i famshëm në histori. Ai e nisi karrierën në vitet 1890 dhe mori emrin e skenës si nderim për magjistarin francez Zhan-JuxhinRobert-Hudin, i konsideruar “babai i magjisë moderne”.
Pas shfaqjeve në muze, teatro vaudeville dhe në Panairin Botëror të Çikagos, Hudini u bë i famshëm në fillim të shekullit XX. Ai mahniti publikun duke u çliruar nga pranga, litarë, qeli, kuti dhe situata që dukeshin të pamundura.
“Trashëgimia e Hudinit vazhdoi edhe pas vdekjes së tij, sepse ai ishte njeriu që mund të arratisej nga çdo gjë”, thotë magjistari Kostya Kimlat. “Ai u bë simbol i kujtdo që dëshironte një jetë më të mirë.”
1. Metamorfoza
Ky numër ishte krijuar fillimisht nga magjistari John Nevil Maskelyne, por u lidh më shumë me Hudinin, i cili e përsosi. Hudini lidhej dhe mbyllej në një thes prej pëlhure, pastaj futej në një kuti që mbyllej me kyçe dhe lidhëse.
Kutia rrotullohej për pak çaste pas një perdeje, ndërsa asistentja e tij, zakonisht gruaja Beatrice, duartrokiste tri herë. Kur perdeja hapej, të dy kishin ndërruar vendet. Shpejtësia e këtij ndërrimi i hutonte edhe spektatorët që e dinin se bëhej fjalë për një iluzion skenik.
2. Arratisjet nga burgu
Hudini pretendonte se asnjë qeli nuk mund ta mbante. Në vitin 1906, ai u ftua të provonte këtë në burgjet e Uashingtonit.
Me 1 janar, pasi u kontrollua dhe iu hoqën rrobat, ai u fut në një qeli, ndërsa rrobat iu vendosën në një tjetër. Madje policia ndryshoi edhe bravat në momentin e fundit. Hudini u çlirua nga prangat, drynat dhe dy dyer burgu për vetëm 18 minuta.
Disa ditë më vonë, ai doli nga qelia ku ishte mbajtur vrasësi i presidentit James Garfield, Charles Guiteau, në vetëm 2 minuta. Më pas kaloi edhe 19 minuta duke hapur dhe mbyllur qelitë e të burgosurve të tjerë, përpara se të shfaqej sërish para rojeve, i veshur plotësisht.
3. Këmisha e forcës
Hudini u bë i famshëm për arratisjet nga çdo lloj lidhjeje. Në vitin 1915, ai vendosi të tregonte se mund të shpëtonte edhe pa skenografi apo shpërqendrime.
Në dhjetor të atij viti, në Los Anxheles, Hudini u var 15 metra mbi tokë, i lidhur në një këmishë force. Ai u çlirua për 2 minuta e 7 sekonda. Më vonë e përsëriti këtë numër shumë herë, shpesh përpara zyrave të gazetave.
4. Elefanti që u zhduk
Me 7 janar 1918, Hudini performoi një nga numrat e tij më të pazakontë. Para rreth 10 mijë spektatorëve, ai solli në skenë një elefant të gjallë, Jenny, që peshonte rreth 4.5 tonë.
Elefanti hyri në një kuti të madhe në formë tuneli. Pas një lëvizjeje dramatike të perdeve, Jenny ishte zhdukur. Numri ishte veçanërisht mbresëlënës sepse skena e Hipodromit kishte një rezervuar të madh uji poshtë saj, duke e bërë të pamundur përdorimin e një dere të zakonshme kurthi.
5. Arkivoli nën ujë
Vetëm tre muaj para vdekjes, Hudini pranoi një sfidë nga “fakiri” Rahman Bey, i cili pretendonte se mund të qëndronte në një arkivol nën ujë pa marrë frymë.
Hudini u stërvit për javë të tëra për të rritur kapacitetin e mushkërive dhe kontrolluar frymëmarrjen. Me 5 gusht 1926, ai hyri në një pishinë në Nju Jork, i mbyllur në një arkivol hermetik. Pavarësisht temperaturës së lartë brenda tij dhe rrezikut që arkivoli të përmbysej, Hudini doli 91 minuta më vonë, i mbuluar në djersë dhe i zbehtë, por fitues i sfidës.







