Ballina Kulturë Bota mesjetare kishte ‘deepfake’-et e veta – zyrtarët e kishës përdorën për...

Bota mesjetare kishte ‘deepfake’-et e veta – zyrtarët e kishës përdorën për shekuj një dekret perandorak të falsifikuar

27
0

Me përhapjen e “deepfake”-eve, falsifikimi dhe mashtrimi shpesh shihen si probleme tipike të kohëve moderne, të lidhura me një epokë të re dezinformimi të mundësuar nga inteligjenca artificiale. Një nga rastet më alarmuese ndodhi në fillim të luftës në Ukrainë, kur u shfaq një video e manipuluar që dukej sikur tregonte presidentin Volodymyr Zelenskyy duke u thënë ushtarëve të tij të dorëzonin armët.

Por përpjekja për të mashtruar njerëzit duke sajuar prova është shumë më e vjetër se epoka digjitale. Në disa raste, pasojat e këtyre mashtrimeve kanë qenë aq të mëdha, sa kanë ndikuar në zhvillimet politike dhe fetare për shekuj me radhë.

Si studiuese e historisë mesjetare, më intereson mënyra se si pararendësit e “deepfake”-eve të sotme i hutuan dhe i tërhoqën studiuesit në Europën e hershme moderne, si dhe mënyra se si u zbuluan si falsifikime. Kërkimi i së vërtetës mes dokumenteve të falsifikuara nuk është një problem vetëm i kohës sonë; një vështrim skeptik ndaj autenticitetit të burimeve ishte po aq i rëndësishëm në shekullin XV sa ç’është sot.

Dhuratë mirënjohjeje

Gjatë gjithë Mesjetës, të paktën 10 papë iu referuan të njëjtit pretendim të rremë, sipas të cilit perandor Konstandini I ia kishte transferuar autoritetin mbi Romën dhe pjesën perëndimore të Perandorisë Romake papë Silvesterit I në fillim të viteve 300.

Ky dokument, që më vonë u bë i njohur si “Dhurata e Konstandinit”, ishte një dekret perandorak i falsifikuar dhe u përdor për të justifikuar zgjerimin e kontrollit të papatit në të gjithë Gadishullin Apenin.

Teksti tregon se Konstandini, perandori i parë romak që u konvertua në krishterim, u sëmur nga lebra. Në një ëndërr, ai u udhëzua të kërkonte pagëzimin nga Silvesteri dhe pas kësaj u shërua. E njëjta histori gjendet edhe në “Veprat e Silvesterit”, një përmbledhje e shekullit V kushtuar jetës së papës.

Në shenjë mirënjohjeje, Konstandini supozohet se i dha papës dhe pasardhësve të tij “pushtet, dinjitet, lavdi, forcë dhe nder perandorak” mbi “qytetin e Romës dhe të gjitha provincat, vendet dhe qytetet e Italisë dhe të rajoneve perëndimore”. Dokumenti i jepte kishës gjithashtu të drejtën të kontrollonte prona “në Jude, Greqi, Azi, Traki, Afrikë, Itali dhe në ishujt e ndryshëm”.

Mjet presioni ndaj mbretërve

Duhet theksuar se nuk ekzistojnë referenca që të lënë të kuptohet ekzistenca e këtij dokumenti deri në shekullin VIII. Në vitin 778, papa Adrian I i shkroi Karlit të Madh, mbretit të frankëve, i cili po zgjeronte me shpejtësi kontrollin e tij mbi pjesë të Europës Perëndimore. Babai i Karlit të Madh, Pipini i Shkurtër, i kishte dhënë kishës sovranitet mbi territoret që më vonë u njohën si Shtetet Papnore, në Gadishullin Apenin.

Sipas kësaj letre, Adriani, i cili shpresonte të vendoste sundimin territorial dhe shpirtëror mbi frankët, e nxiste Karline Madh t’i dhuronte kishës edhe toka. Disa studiues kanë argumentuar se letra tregon se Adriani mund të ketë qenë në dijeni të “Dhuratës së Konstandinit”.

Në vitin 1054, kur kisha u nda në dy degë, Kishën Ortodokse Lindore dhe Kishën Katolike Romake Perëndimore, papa Leoni IX shkroi një letër ku për herë të parë e përmendi me emër “Dhuratën e Konstandinit”. Sundimtarët e Perandorisë Bizantine e dënuan këtë dokument, duke e cilësuar si një përpjekje të kishës perëndimore për të grabitur pushtetin. Referenca të tjera ndaj tij u shfaqën në dokumentet kishtare gjatë shekujve pasues.

Pjesa më e madhe e paqartësive rreth kësaj “dhurate” të pretenduar lidhet me përpjekjet për të përcaktuar se si kishte ndryshuar kontrolli territorial si pasojë e saj. Në fund, papët e përdorën dokumentin për të ushtruar presion mbi mbretërit frankë dhe perandorët bizantinë, si dhe për të siguruar kontrollin mbi Italinë qendrore.

Dënimi përmes poezisë

Në shekullin XIV, “Dhurata e Konstandinit” ishte bërë aq e njohur, sa DanteAlighieri e përmendi në “Komedinë Hyjnore”, poemën epike që përshkruan një udhëtim përmes ferrit, purgatorit dhe parajsës.

Në “Komedinë Hyjnore”, papa Nikolla III vendoset në rrethin e tetë të ferrit për mëkatin e simonisë, praktikës së dënuar të shitjes së posteve kishtare. Sipas Dantes, Nikolla ishte tepër i përqendruar te pushteti dhe ndikimi tokësor, ndërsa duhej të përqendrohej te detyrat e tij baritore.

Sipas poetit, simonia ishte pasojë e “Dhuratës së Konstandinit”, sepse ajo i kishte larguar përparësitë e kishës nga fusha shpirtërore. Dante vajtonte:

Ah, Konstandin, sa të këqija lindën,

Jo nga ndërrimi yt i fesë, por nga dhurata

Me të cilën ti e pasurove papën e parë!

Modeli i Rilindjes

Në kohën kur Dante shkruante, skolasticizmi kishte zënë vend. Kjo ishte një lëvizje intelektuale e Mesjetës së vonë që përpiqej të pajtonte teologjinë e krishterë me filozofinë greke. Më pas, kjo qasje i la vendin Rilindjes Italiane, e cila solli kritikën tekstuale dhe një rikthim te studimi i kulturës klasike. Gjatë këtij ndryshimi në mënyrën se si kryheshin kërkimet shkencore, nisën të ngriheshin dyshime nëse “Dhurata” kishte vërtet ndonjë bazë historike.

Në vitin 1433, kardinali Nikolla i Kuzës u bë personi i parë që hodhi publikisht dyshimin se “Dhurata e Konstandinit” ishte një falsifikim. Në veprën “De concordantia catholica”, ose “Pajtimi katolik”, Nikolla vuri në dukje se asnjë dokument i shekullit IV nuk fliste në mënyrë specifike për transferimin e pushtetit tokësor te papa.

Disa vite më vonë, duke u mbështetur mbi këtë ide, humanisti italian dhe prifti katolik Lorenzo Valla shkroi esenë “Ligjëratë mbi falsifikimin e të ashtuquajturës Dhuratë e Konstandinit”. Valla e ndërtoi argumentin e tij mbi tri arsye kryesore. Së pari, “Dhurata e Konstandinit” përmban terma anakronikë, të cilët nuk do të ishin përdorur në shekullin IV. Ai vuri në dukje gjithashtu mungesën e burimeve të kohës që t’i referoheshin dokumentit dhe faktin se Konstandini nuk kishte autoritetin ligjor për t’ia dhënë këtë pushtet tokësor papë Silvesterit.

Valla e dënoi “Dhuratën” si “të rreme dhe të falsifikuar” dhe akuzoi kishën se kishte ruajtur këtë “mashtrim” për shekuj, duke këmbëngulur se dokumenti ishte autentik. Ai argumentoi se dokumenti ka shumë të ngjarë të ishte krijuar nga një klerik romak midis viteve 750 dhe 850.

Edhe pse ishte vetë prift, Valla ishte i gatshëm të ofronte një këndvështrim kritik ndaj praktikave të kishës që, sipas tij, nuk mbështeteshin në prova konkrete. Qasja e tij ndaj analizës së teologjisë dhe gjuhës bëri që disa admirues ta cilësonin veprën e tij si një nga arritjet e mëdha të Rilindjes Italiane. Humanisti tjetër Desiderius Erasmus lavdëroi “energjinë, zellin dhe punën” e Vallës në kërkimet e tij, duke thënë se puna e tij “i detyroi edhe studiuesit më të ditur që, që nga ajo kohë, të shpreheshin me më shumë kujdes”.

Vlerësimi për punën e Vallës e bëri më të pranueshme që studiues të tjerë të vinin në dyshim “Dhuratën”. Rreth vitit 1450, peshkopi anglez ReginaldPecocke paraqiti një argument të ngjashëm për ta diskredituar atë, duke vënë në dukje se fjala “feud” ishte anakronike. Përpara se të bëhej vetë papë, Piu II shkroi në vitin 1453 një tekst të pabotuar ku pranonte se “Dhurata” kishte shumë të ngjarë të ishte një falsifikim. Megjithatë, vetëm në fillim të shekullit XVII, pas punës së kardinalit dhe historianit Caesar Baronius, u pranua në mënyrë të përgjithshme se bëhej fjalë për një tekst të falsifikuar.

Duke e shqyrtuar me sy kritik vetë institucionin ku shërbente, kishën, kërkimi i kujdesshëm i Vallës tregoi se pretendimet e vjetra nuk duhen pranuar si të padiskutueshme pa prova konkrete. Kjo qasje ndaj analizës dhe verifikimit të fakteve mbetet një model i vlefshëm edhe sot.

“Dhurata e Konstandinit” na kujton se përballja me pyetjen nëse informacioni është i vërtetë apo i rremë nuk është një problem i epokës sonë. Ashtu si Valla, edhe ne duhet të përdorim aftësinë tonë për të shqyrtuar provat dhe për të dalluar të vërtetën nga ajo që vetëm duket e besueshme./ Nga Vanessa Corcoran – The Conversation