Nga Prof.dr. Lush Culaj
Gjatë muajit qershor u zhvilluan ballafaqime të reja me ushtrinë osmane në Malësinë e Gjakovës, në rrethet e Pejës etj. Në anën tjetër, Austro-Hungaria e frikësuar e shikonte zhvillimin e kryengritjes. Aksionet e armatosura të çetave kryengritëse u fuqizuan në gjysmën e muajit korrik në Malësinë e Gjakovës dhe në Rrafshin e Dukagjinit ku prinin Zefi i Vogël, Bajram Daklani, Mahmut Zajmi dhe Mehmet Belegu, të cilat përbënin një forcë kryengritëse deri në 500 veta. Ndërkaq, në gjysmën e parë të muajit korrik, kryengritja po përhapej si në veri ashtu edhe në jug. Në korrik të vitit 1912 kemi riaktivizimin e kryengritjes së armatosur në Dibër. Me rënien e kabinetit të Sait Pashës, më 17 korrik 1912, ra edhe fuqia e turqve të rinj. Pushtetin e mori opozita ushtarake. Sukseset e kryengritësve shqiptarë kishin ndikuar në dobësimin e fuqisë ushtarake të Perandorisë. Këto suksese i çuditën shtetet ballkanike dhe ato evropiane.
Për Zefin e Vogël dhe aktivitetin e çetës së tij shkroi në këtë periudhë kohore edhe një gazetë ushtarake në Londrën e largët. Zëri dhe nami i tij si udhëheqës i shquar në dobi të çështjes kombëtare kishte arritur deri atje. Ja çka shkruante gazeta ushtarake londineze: “Dështimi i Qeverisë Turke për të siguruar shkollat shqipe të premtuara dhe mënyra e turpshme në të cilën u “bënë” (u mbajtën) zgjedhjet e fundit kanë qenë arsyet e kryengritjes së këtij viti. Këtë vit, në Vilajetin e Kosovës, katolikët dhe myslimanët janë bashkuar. Një prijës katolik, Zef i Vogël (Jozefi i Vogël) ka luajtur një rol të rëndësishëm, së bashku me udhëheqësit myslimanë, dhe thuhet se hoxhallarët myslimanë dhe priftërinjtë katolikë kanë formuar së bashku komitete revolucionare.”
Po më 17 korrik 1912, kryengritësit u nisën nga Gjakova drejt Prishtinës të udhëhequr nga Hasan Prishtina dhe Bajram Curri me 12 mijë kryengritës. Tashmë kryengritja po merrte përpjesëtime gjithnjë e më të mëdha duke u shndërruar në kryengritje të përgjithshme. Pasi e çliruan Gjakovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, kryengritësit i përqendruan forcat e tyre në luftën për ta marrë Prishtinën, të cilën e çliruan më 21 korrik 1912. Garnizoni osman duke e parë forcën e tyre nuk bëri rezistencë. Sipas dëshmive, Zefi i Vogël, Shaban Binaku, Bajram Daklani etj., gjendeshin në Ferizaj që nga 14 korriku. Nga këto dëshmi shihet që Zefi i Vogël me bashkëluftëtarë kishte qenë ndër të parët që kishte arritur edhe në Ferizaj. Që t’i shmangeshin presionit turkoman kryengritësit shqiptarë u tërhoqën nga Prishtina në Ferizaj. Epilogu i Lëvizjes së armatosur për Shqipërinë autonome ndodhi në Ferizaj në gushtin e vitit 1912, kur Hasan Prishtina përpiloi kërkesat për Shqipëri autonome.
Ai ia dorëzoi memorandumin shqiptar Ibrahim Pashës në Prishtinë më 9 gusht 1912. Stambolli e kishte emëruar atë komandant suprem dhe përfaqësues të Valiut të Kosovës në Shkup. Në Ferizaj për aprovimin e kërkesave të hartuara nga Hasan Prishtina u angazhua Bajram Curri. Për këtë Prishtina shkroi: “Më të vertetë asht për t’u përmendë mundi e zelli i Bajram Beg Currit.” Kërkesat për qeverinë osmane ishin përmbledhur në programin prej 14 pikash. Meqë qeveria osmane e vonoi përgjigjen ndaj kërkesave, kryengritësit marshuan drejt Shkupit.
Sipas raportit të konsullatës serbe në Shkup për ministrin e Jashtëm Jovanoviq, kur kryengritësit vendosën të niseshin nga Ferizaji për në Shkup, numri i tyre ishte rreth 4000 vetë. Shumica e tyre ishte nga rrethi i Gjakovës, Pejës, Lumës, Gjilanit dhe Mitrovicës. Raporti tregonte se në fshatin Smirë po po mbahëj një mbledhje, ku këta kryengritës do të ndaheshin në grupe të vogla dhe secilit grup do t’i caktohej udhëheqësi. Këto të dhëna dokumentare tërthorazi tregojnë se Zefi i Vogël me çetën e tij kishin grupin e tyre, të cilit i prinin Zefi i Vogël, Pjetër Qeli dhe Zef Gjidoda. Marshimi i grupit të kryengritësve nga Ferizaji u bë përmes Grykës së Kaçanikut, si dhe me trenin që qarkullonte në relacionin Mitrovicë-Shkup.
Sipas profesor Ramiz Avdylit, më 11 gusht 1912 hyri në Shkup grupi i kryengritësve prej qindra vetash, me Bajram Daklanin, Zefin e Vogël dhe Hasan Hysen Budakovën në krye. Edhe profesor Vehbi Xhemaili thekson se grupi i Zefit të Vogël dhe Bajram Daklanit hyri në Shkup më 11 gusht 1912. Gjithashtu, profesor Frashër Demaj thekson se më 11 gusht hyri atje grupi i parë i kryengritësve, i përbërë nga 200 veta me Zefin e Vogël dhe Bajram Daklanin në krye, ku sipas gazetës “Shkupi” u shpalos flamuri kombëtar. Kurse, gazeta “Liri e Shqipërisë” shkruante: “Pas trimave Malsorë sivjet e ngriti flamurin kombiar Kosova; Mahmut Zajmi me Zefin e Vogël e me tjerë fanës e filluan por edhe trimat tjerë u ranë pas në ndihmë. Këta trima janë: Bajram Curri, Isa Boletini, Riza be Gjakova, Mark Gjoni, Hasan Prishtina, i cili njihet nga tërë kombi shqiptar, Idriz Seferi etj.” Kurse, sipas gazetës “Shkupi”, më 12 gusht në hyri në Shkup grupi i parë i kryengritësve i kryesuar nga Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani. Si duket këtij shkrimi i është referuar edhe profesor Ethem Çeku. Gazeta e Sofjes “Preporec” shkruante për pritjen që u ishte bërë kryengritësve nga qytetarët. Po ashtu, gazeta “Shkupi” shkruante se Bajram Daklani, bashkë me kryengritës e qytetarë, sapo hyri në qytet nisi luante valle në sheshin e qytetit. Këtë atmosferë të marshimit të tyre e ka dhënë edhe këngëtari popullor:
*Vjen pampori zingerli!
Gjysa n’ta gjysa përmi!
Dogri Shkupin e paskan msy.
U hap fjala n’shtatë krajli
Krejt Shqipnija n’Shkup ka hi!.*
Thuhej se kryengritësit u pritën si çlirues në stacionin e trenit nga mijëra qytetarë. Në popull flitej se Hasan Hyseni, së bashku me Bajram Daklanin, Mehmet Shpendin e Zefin e Vogël, e kishin ngritur të parët flamurin shqiptar në Shkup, më 12 gusht 1912. Për këtë akt dhe për veprimtarinë e Zefit të Vogël në çlirimin e Shkupit shkruan shumë gazeta vendëse dhe të huaja. Nami dhe reputacioni i tij u ngrit edhe më shumë. Pra, Zefi i Vogël së bashku me Bajram Daklanin dhe Hasan Hysen Budakovën drejtoi grupin e parë të kryengritësve që çliruan Shkupin.
Ndër shumë veprime luftarake që kishte kryer ai dhe çeta e tij do të veçonim ato të zhvilluara gjatë kryengritjes së madhe të vitit 1912. Pika kulmore do të ishte që në zbatim të vendimeve të Kuvendit të Junikut Zefi në krye të 200 kryengritësve shqiptarë hyri i pari në Shkup. Vënia në ballë të grupit të parë të kryengritësve për të sulmuar Shkupin, ku gjendej garnizoni i madh ushtarak osman, ishte një guxim i rrallë. Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani me grupet e tyre prisnin ballafaqim të ashpër ushtarak. Ata nuk po shkonin në dasmë, por në luftë. Fatbardhësisht ushtria osmane në qytet nuk bëri rezistencë, por Zefi i Vogël me bashkëluftëtarët e tij kishin shkuar të luftonin e po të ishte nevoja të vdisnin.
Kryengritjet e vazhdueshme shqiptare arritën ta katandisin Perandorinë Osmane, por shqiptarët nuk arritën të realizonin aspiratat e tyre. Përfundimet e kësaj kryengritjeje nuk i kënaqën nacionalistët shqiptarë, sepse ajo nuk u siguroi shqiptarëve njohjen e nacionalitetit të tyre, por as krijimin e një vilajeti të bashkuar dhe autonom.







