Ballina Europë Sulm kibernetik në Poloni, ekspozohen të dhënat mjekësore të 19 milionë qytetarëve

Sulm kibernetik në Poloni, ekspozohen të dhënat mjekësore të 19 milionë qytetarëve

56
0

Polonia është përballur me një nga shkeljet më të mëdha të të dhënave mjekësore në vend, ku informacionet e afro 19 milionë qytetarëve janë ekspozuar në një sulm kibernetik të cilësuar si “i paprecedentë” nga autoritetet.

Ministri polak i Çështjeve Dixhitale, Krzysztof Gawkowski, tha se sulmi goditi një platformë të përdorur gjerësisht nga mjekët dhe klinikat për ruajtjen dhe administrimin e të dhënave konfidenciale të pacientëve.

“Siç konfirmohet nga vetë kompania, u vodhën 19 milionë të dhëna, që përmbanin lloje të ndryshme të dhënash që mund të lidhen së bashku”, deklaroi Gawkowski.

Autoritetet polake kanë nisur hetimet për të përcaktuar mënyrën se si ndodhi sulmi, ndërsa strukturat e sigurisë kibernetike po punojnë për të mbrojtur informacionet e prekura.

Ministri theksoi se deri tani nuk ka të dhëna që tregojnë se sulmi është kryer nga një shtet i huaj.

“Askush nuk do të negociojë me askënd. Askush nuk do t’i nënshtrohet asnjë shantazhi”, deklaroi Gawkowski.