Të paktën katër persona kanë vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur në Japoninë lindore, ndërsa reshjet rekord të shiut goditën prefekturën Chiba pranë kryeqytetit Tokio.
Shirat, të cilat autoritetet i kanë përshkruar si “të paprecedentë”, ndërprenë energjinë elektrike për më shumë se 20,000 familje, ndërsa 7,000 udhëtarë mbetën të bllokuar gjatë natës në aeroportin Narita të Tokios.
Autoritetet lokale lëshuan të enjten një paralajmërim emergjence të nivelit pesë, alarmi më i lartë. Ky nivel u ul në nivelin katër deri të premten në mëngjes, por ato vazhdojnë të paralajmërojnë për rreziqe rrëshqitjeje dheu dhe përmbytjesh.
Përmbytja vjen pas një serie stuhish që përfshiu Japoninë dhe vendet fqinje këtë javë, në atë që është parashikuar të jetë një sezon jashtëzakonisht aktiv i tajfunëve.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se përmbytja më e fundit u soll nga ajri i ngrohtë dhe i lagësht që rrjedh në lindje të vendit, i cili u kombinua me ajrin e ftohtë sipër duke i bërë kushtet atmosferike jashtëzakonisht të paqëndrueshme.
Reshjet e shiut pritet të vazhdojnë deri në orët e vona të së premtes.
“Ky rast ishte një situatë jashtëzakonisht e pazakontë, madje edhe sipas standardeve historike të motit të Japonisë”, u tha gazetarëve të premten në mëngjes guvernatori i Chibës, Toshihito Kumagai.
“Kam reaguar ndaj shumë fatkeqësive në të kaluarën, por kurrë nuk kam përjetuar një rast si ky.”







