Ballina Politika Çfarë ndodhi pas dyerve të mbyllura? Gorrea zbardh takimin me Ramën: Disa...

Çfarë ndodhi pas dyerve të mbyllura? Gorrea zbardh takimin me Ramën: Disa kryetarë i ndërprisnin fjalën! Unë nuk ndryshova mendim për Divjakën

103
0

Dy ditë pas takimit që kryeministri Edi Rama zhvilloi me 20 kryebashkiakët në Kuç të Vlorës, ku u diskutua Reforma e re Territoriale dhe u kërkuan sqarime mbi të ardhmen e njësive vendore, ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, i cili ka sqaruar qëndrimin e tij të mbajtur gjatë këtij takimi.

Siç bëmë me dije edhe më herët, Gorrea ka mbështetur qëndrimin e tij dhe të banorëve të Divjakës për mosshkrirjen e kësaj bashkie, duke e kundërshtuar çdo skenar që do të çonte në ndryshimin e statusit të saj në kuadër të reformës së re territoriale.

Së fundmi, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Divjakës, kryebashkiaku ka dhënë sqarime mbi atë që është diskutuar në takimin e zhvilluar në Kuç, duke konfirmuar edhe njëherë se qëndrimi i tij për ruajtjen e Bashkisë Divjakë ka qenë i qartë dhe nuk ka ndryshuar.

“Ishte një takim i mbyllur. U diskutua gjatë e gjerë si grupim politik, që unë e quaj një hap të madh përpara. Shprehëm secili mendimin e tij. Kryeministri i vendit e la të hapur bisedën. Secili të shprehë mendimin e tij të pastër. Disa kryetarë të emocionuar e të nxituar ja ndërprisnin fjalën, sikur ka ndodhur dhe këtu te ne.

Po flas me pastërti çfarë ka ndodhur. Edhe në atë takim, nuk kisha detyrim të shprehem për të tjerët, por për veten time. Qëndrimi im ka qenë i pastër. Nuk ka ndryshuar në asnjë moment nga ajo që kam deklaruar. Edhe në atë takim e mbrojta fort idenë që pse bashkia duhet të qëndrojë. E para te Komisioni i Maznikut ka disa mospërputhje.

Kapa disa gabime që do iu a bëj me dije edhe ju. E dyta bëra një krahasim Lushnje-Divjakë. Ndoshta Komisioni në atë citat, i referohet faktit që ne bëmë një mbledhje që kemi qenë të pranishëm.

Në atë takim, përsëri, ju ndoshta e keni parë edhe në media, përfaqësues të lartë të PS u shprehën qartë që nuk do ketë ndryshime në qarkun Fier. Mbrojta fort faktin që kam qenë jo i informuar. Radhita atë që thashë më sipër”, tha ndër të tjera Gorrea.

Siç kemi raportuar edhe më parë jo gjithçka shkoi “vaj” në mbledhjen prej katër orësh mes kryeministrit Edi Rama dhe 20 kryebashkiakëve, takim i cili u mbajt në Kuç të Vlorës. Pas dyerve të mbyllura, diskutimet për hartën e re territoriale kanë qenë shumë më të tensionuara nga sa u raportua më herët pas përfundimit të mbledhjes.