Një fanellë e Michael Jordan, e veshur prej tij në ndeshjen e tretë të finaleve të NBA-së në vitin 1998, është shitur për një shumë rekord prej 12.26 milionë dollarësh, rreth 10.8 milionë euro.
Fanella, të cilën legjenda e Chicago Bulls e veshi në përballjen ndaj Utah Jazz më 7 qershor 1998, u nxor në ankand nga Joopiter, shtëpia e ankandeve e themeluar nga muzikanti Pharrell Williams. Shitja u realizua me vetëm një ofertë përpara mbylljes së ankandit.
Me këtë shumë, fanella vendosi një rekord të ri për një objekt sportiv të përdorur në ndeshje nga Michael Jordan. Rekordi i mëparshëm ishte vendosur në shtator të vitit 2022, kur fanella e veshur nga Jordan në ndeshjen e parë të po atyre finaleve u shit për 10.09 milionë dollarë, rreth 8.9 milionë euro.
Joopiter e kishte vlerësuar fanellën mes 10 dhe 15 milionë dollarëve, ndërsa ajo që e bën edhe më të veçantë është fakti se konsiderohet e vetmja fanellë e bardhë e Jordanit, e lidhur me një fitore të Bulls në finalet e vitit 1998, që njihet publikisht.
Në ndeshjen e tretë, të zhvilluar në “United Center”, Chicago triumfoi me rezultatin e thellë 96-54 ndaj Utah Jazz, duke marrë avantazhin 2-1 në serinë finale. Jordan realizoi 24 pikë, 3 rikuperime dhe 2 asistime, ndërsa luajti 43 minuta.
Fanella lidhet me sezonin e famshëm 1997/98, i cili shënoi triumfin e gjashtë dhe të fundit të Jordanit me Chicago Bulls. Ai sezon u bë edhe më i famshëm përmes dokumentarit “The Last Dance”, që riktheu në vëmendje epokën e artë të Bulls dhe ekipit të drejtuar nga Phil Jackson.







