Atletja Luiza Gega është shpallur fituese e edicionit të dhjetë të Maratonës së Tiranës, duke triumfuar në garën kryesore prej 42 kilometrash dhe duke siguruar çmimin prej 5 mijë eurosh.
Gega arriti të renditej e para në distancën e plotë maratonike, në një aktivitet sportiv që këtë të diel mblodhi në kryeqytet rreth 5,800 pjesëmarrës.
Edicioni i dhjetë i Maratonës së Tiranës nisi në orën 08:00, me pjesëmarrjen e atletëve profesionistë dhe garuesve amatorë, të cilët konkurruan në distanca të ndryshme.
Një nga risitë e këtij viti ishte përfshirja e garës prej 5 kilometrash, e konceptuar për t’u dhënë mundësi edhe qytetarëve që nuk merren profesionalisht me atletikë të bëhen pjesë e aktivitetit.
Organizimi i maratonës ka kërkuar rreth gjashtë muaj përgatitje, ndërsa për mbarëvajtjen e saj janë angazhuar 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës.
Zhvillimi i garës ka sjellë edhe kufizime të konsiderueshme në qarkullimin rrugor të kryeqytetit. Sipas masave të njoftuara, një pjesë e akseve kryesore do të qëndrojnë të bllokuara deri në orën 16:00.
Kufizimet përfshijnë Unazën e Vogël, bulevardin “Zogu i Parë”, Bulevardin e Ri, segmentin nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe Rrugën e Kavajës, Rrugën e Durrësit, rrugën “Myslym Shyri” dhe disa rrugë të ish-Bllokut.
Gjithashtu, për shkak të itinerarit të maratonës, disa linja të transportit publik urban do të devijojnë përkohësisht nga itineraret e zakonshme.







