Ballina Europë Itali, gjenden tre kryeveprat e Renoir, Cézanne dhe Matisse të vjedhura nga...

Itali, gjenden tre kryeveprat e Renoir, Cézanne dhe Matisse të vjedhura nga muzeu

102
0

Autoritetet italiane kanë gjetur tre piktura të çmuara të Pierre-Auguste Renoir, Paul Cézanne dhe Henri Matisse, të cilat ishin vjedhur në muajin mars nga një muze pranë Parmës.

Sipas Reuters, veprat u gjetën nga njësia e specializuar e Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në një apartament në Parma. Nëntë shtetas moldavë janë vënë nën hetim në lidhje me grabitjen.

Tre pikturat ishin vjedhur gjatë natës mes 22 dhe 23 marsit nga muzeu Fondazione Magnani Rocca, në Mamiano di Traversetolo, pranë Parmës. Vlera e përgjithshme e tyre përllogaritet në më shumë se 9 milionë euro.

Bëhet fjalë për veprat “Tasse et Plat de Cerises” të Cézanne, “Les Poissons” të Renoir dhe “Odalisque sur la Terrasse” të Matisse.

Pamjet e publikuara nga autoritetet italiane tregojnë dy persona të maskuar që hyjnë në muze përmes një dritareje, marrin pikturat nga muret dhe largohen. E gjithë grabitja është kryer në më pak se tre minuta.

Fondazione Magnani Rocca strehon koleksionin e krijuar nga kritiku italian i muzikës Luigi Magnani dhe përmban vepra të disa prej artistëve më të njohur në botë, përfshirë Titian, Francisco Goya, Claude Monet, Peter Paul Rubens dhe Giorgio Morandi.

Hetimet për grabitjen vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar rolin e personave të dyshuar në vjedhjen e veprave.