Ballina Opinion Zjarret djegin Shqiperinë dhe propagandën! Si dhe një “sukses” i Qeverisë!

Zjarret djegin Shqiperinë dhe propagandën! Si dhe një “sukses” i Qeverisë!

75
0

Agron Gjekmarkaj 

Qeveria prej vitesh e ka humbur kontrollin mbi territorin. Kjo bëhet veçanërisht e dukshme në përballjen me zjarret që çdo verë përpijnë pyje, toka, banesa dhe prona.

Në vend të një sistemi funksional parandalimi dhe reagimi, shteti kufizohet kryesisht në numërimin e vatrave dhe dëmeve të shkaktuara. Pas tyre vjen fjala “kismet”!

Mungojnë mjetet, kapacitetet dhe mbi të gjitha një strategji serioze për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve.
Në këtë realitet, prioritetet e qeverisë duken të shtrembëruara, ku burime të konsiderueshme financiare shpërndahen për qëllime të diskutueshme, ndërsa strukturat emergjente mbeten të dobëta dhe të papërgatitura.

Kriza e zjarreve nuk është një fenomen sezonal, por një problem i thellë dhe i përsëritur, i lidhur ngushtë me korrupsionin, mungesën e vizionit dhe paaftësinë institucionale.

Reforma territoriale, në vend që të përmirësonte administrimin, ka prodhuar më shumë dështim, diletantizëm dhe klientelizëm politik, duke përshpejtuar braktisjen e zonave rurale dhe duke lënë gjithnjë e më shumë territor jashtë kontrollit real të shtetit.

Në vend të një reagimi serioz, shpesh shfaqet një qasje propagandistike. Nga distanca e zyrave apo pushimeve, politikanë bëjnë deklarata dhe statuse simbolike, duke u përpjekur të krijojnë imazhin e angazhimit, ndërsa realiteti në terren mbetet dramatik.

Zjarret nuk ndalen në momentin kur shfaqen. Ato parandalohen gjatë gjithë vitit përmes investimeve të qëndrueshme: mirëmbajtjes së pyjeve, pastrimit të zonave të rrezikuara, krijimit të rrugëve të aksesit, sigurimit të burimeve ujore, pajisjeve moderne dhe forcimit të strukturave zjarrfikëse.

Një shtet serioz nuk kufizohet në evidentimin e dëmeve, por investon për t’i parandaluar ato. Sot, megjithatë, po ndodh e kundërta: zjarret po shkatërrojnë jo vetëm pyjet dhe pronat, por edhe narrativën propagandistike që përpiqet të fshehë dështimin.

Në fund, ajo që del në pah është një realitet i thjeshtë dhe i dhimbshëm: një shtet që nuk e kontrollon plotësisht territorin e vet dhe që kujtohet për qytetarët e tij vetëm pasi katastrofa ka ndodhur. Nje qeveri e percelluar ne moral djeg Shqiperine!