Ballina Opinion Asambleja e paranojës e terrorit dhe censurës!

Asambleja e paranojës e terrorit dhe censurës!

28
0

Nga Belind Këlliçi

Asambleja e Edi Ramës tregoi sot krizën e thellë ku ndodhet kjo forcë politike e përfshirë në korrupsion dhe afera dhe e inkriminuar deri në palcë. Rruga që konfirmoi edhe sot sunduesi, nuk ishte trasparenca, llogaridhënia, mbajtja e përgjegjësisë. Ai vendosi dhe një herë të mos dëgjojë zërin e qytetarëve që kërkojnë ndryshim dhe largimin e tij.

Përkundrazi u angazhua më shumë në penalizimin e protestuesve dhe mori masa ndaj armiqve të brendshëm, duke përjashtuar ato dy zërat e vetëm që kanë arritur të artikulojnë diçka kundër regjimit.

Mbledhja nisi me masa policore duke bllokuar valët e telefonave çka dëshmon paranojën dhe mungesën e besimit brenda llojit. Kamerat u larguan dhe u kthyen vetëm për të dëgjuar të njëjtin fjalim të autokratit. Edhe kjo asamble, nuk e pengoi atë të mashtronte pa turp.

Edi Rama tha se nuk e ka mbrojtur Belinda Ballukun nga drejtësia, ndërkohë që është fakt që e kanë parë të gjithë shqiptarët që ai rreshtoi 82 kartona për t’i dhënë asaj imunitet dhe paprekshmëri, dhe për të penguar SPAK të bënte hetimet si duhet.

Belinda Balluku shëtit lirshëm dhe ushtron pushtet duke pasur 5 akuza dhe 13 vepra penale, e akuzuar për abuzim me të paktën 1.1 miliardë euro të buxhetit.
Ai foli për ekonominë duke mohuar qindra milionë euro që i janë marrë qytetarëve nga ai dhe bashkëpunëtorët e tij dhe janë bërë vila luksoze ose janë transferuar jashtë.

Të gjitha këto, shqiptarët i dinë.

Fajësoi sërish mediat dhe agjentët e huaj që bëjnë komplote kundër tij.

Me një sallë ku nuk pipëtin askush dhe ku në rreshtin e parë shumica janë subjekte të drejtësisë, kreu i organizatës ka kryer edhe ato pak operacione, shkëmbime vendesh me të vetmit njerëz që ka në dispozicion, që ende nuk kanë shkuar në dyert e SPAK.

Edi Rama nuk ka më asgjë për të ofruar as për partinë e tij, as për vendin. Ai vetëm thellon krizën e vendit, me paranojat dhe frikën që ka se pa pushtetin që e mban me forcë do të dalë para drejtësisë e do të lajë hesapet për gjithë të këqijat që i ka bërë vendit.