Ballina Kuriozitete Pse Toka i ngjan më shumë një patateje sesa një sfere perfekte

Pse Toka i ngjan më shumë një patateje sesa një sfere perfekte

82
0

Toka është një sferë perfekte, apo jo? Imazhet nga hapësira dhe globet që shohim nëpër klasa të japin këtë përshtypje. Por, edhe pse nga hapësira duket e rrumbullakët dhe e rregullt, në të vërtetë forma e planetit tonë është shumë më e çrregullt, i ngjan një patateje.

Misioni GOCE (Gravity Fieldand Steady-State Ocean Circulation Explorer) i Agjencisë Europiane të Hapësirës është një nga misionet që u përqendrua në hartëzimin e gravitetit të Tokës dhe në mbledhjen e të dhënave që na japin një pamje më të qartë të formës së planetit. Të kombinuara me të dhënat e mbledhura nga misionet e NASA-s, këto rezultate tregojnë se Toka nuk është aspak e sheshtë, por as një sferë perfekte. Në fakt, ajo i ngjan një patateje. Ja pse.

Një sipërfaqe me gunga dhe e parregullt

Sipërfaqja e planetit tonë është mjaft e pabarabartë dhe e çrregullt. Së pari, Toka është pak më e fryrë në ekuator për shkak të forcës së rrotullimit të saj, e cila e shtyn paksa sipërfaqen drejt jashtë. Por, në një nivel më të detajuar, në planet shtrihen male, kodra, lugina dhe fusha të gjera.

Një mal i dendur ka më shumë masë sesa një luginë, ndaj graviteti vepron ndryshe në pjesë të ndryshme të planetit. Aty ku ka më shumë masë, graviteti është pak më i fortë dhe tërheq më shumë.

Kjo tërheqje ka efekte të dukshme mbi sipërfaqen e Tokës, veçanërisht mbi pjesën e saj të lëngshme, detet dhe oqeanet. Edhe Hëna dhe Dielli tërheqin ujërat, duke shkaktuar baticat dhe zbaticat. Por, siç e shpjegon Shërbimi Kombëtar i Oqeaneve i SHBA-së, nëse do të mund t’i hiqnim baticat dhe zbaticat nga oqeanet, sipërfaqja e ujit do të shndërrohej në një sipërfaqe të lëmuar, por të parregullt.

Zonat me gravitet më të lartë do ta tërhiqnin ujin drejt vetes, duke ngritur nivelin e këtij deti hipotetik pa batica e zbatica. Aty ku graviteti është më i dobët, niveli i detit do të ishte më i ulët.

Toka ka formën e një gjeoidi

Shkencëtarët që studiojnë planetin tonë shkojnë edhe më tej në modelet e tyre. Ata e shtrijnë këtë nivel imagjinar të detit në të gjithë sipërfaqen e planetit, duke marrë parasysh edhe ndryshimet e forcës së gravitetit në tokë. Kjo krijon një formë të quajtur gjeoid, e cila pasqyron mënyrën se si graviteti deformon sipërfaqen e Tokës, sipas NASA-s.

Kjo paraqitje e gjeoidit është shumë e ekzagjeruar, ndryshimet në lartësi janë shumëfishuar 10 000 herë. Në realitet, diferenca mes pikës më të lartë dhe asaj më të ulët të gjeoidit është rreth 200 metra. “Maja” e gjeoidit ndodhet në Islandë, në 85 metra mbi nivelin e referencës, ndërsa pika më e ulët ndodhet në Oqeanin Indian, në 106 metra nën të.

Si e hartëzon GOCO gravitetin e Tokës

Në këtë rajon të Oqeanit Indian, graviteti është më i dobëti në Tokë, në një zonë me përmasa afërsisht sa vetë India. Studiuesit mendojnë se formimi dhe shpërndarja e strukturave të thella brenda mantelit të Tokës kanë ndikuar në këtë anomali gravitacionale, por origjina e saj e vërtetë ende nuk është e qartë, sipas një studimi të publikuar në Geophysical Research Letters.

Gjeoidi është i dobishëm për shkencëtarët që duan të llogarisin me saktësi lartësitë e sipërfaqes në të gjithë planetin. Ai përllogaritet përmes modeleve të fuqishme të fushës gravitacionale, si GOCO06s, i cili është krijuar nga të dhënat e satelitëve të lidhur me projektin GOCO (Gravity Observation Combination), sipas NASA-s. GOCO e ka ndërtuar modelin e tij duke përdorur 15 vjet të dhëna nga 19 satelitë të ndryshëm, të cilët së bashku kanë mbledhur më shumë se një miliard vëzhgime të sipërfaqes së Tokës.

Gjeoidi, me të gjitha gungat dhe parregullsitë e tij, përfaqëson një “formë” më të vërtetë të Tokës sesa një sferë e thjeshtë. Ashtu si shumë prej proceseve që ndodhin mbi të, edhe sipërfaqja e planetit tonë është shumë më e ndërlikuar nga sa duket në pamje të parë.