Pogradeci, së bashku me fshatrat turistikë Lin dhe Tushemisht, mbeten ndër destinacionet më të kërkuara nga turistët vendas dhe të huaj.
Në prag të çeljes së sezonit turistik, Bashkia Pogradec, në bashkëpunim me institucione të tjera lokale, ka ndërmarrë një aksion për pastrimin e vijës liqenore në këto zona.
Në këtë nismë janë angazhuar një sërë institucionesh dhe strukturash, përfshirë Prefekturën, Bashkinë Pogradec, Forcat e Armatosura, punonjës të ndërmarrjeve të shërbimeve publike, administrata vendore si dhe nxënës të shkollave të zonës.
Prefektja Florina Zegullaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin hedhjen e mbetjeve në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa Drejtoria Rajonale e Arsimit në Korçë ka siguruar se nxënësit do të vijojnë të angazhohen në nisma të tilla pastrimi edhe në të ardhmen.
Fshatrat turistikë Lin dhe Tushemisht kanë një kapacitet akomodues prej rreth 1 mijë vendesh, ku mbi 80 për qind e tyre janë tashmë të rezervuara.







