Ballina Ekonomia Akciza e duhanit u rrit me 114% në 12 vitet e fundit,...

Akciza e duhanit u rrit me 114% në 12 vitet e fundit, por mungojnë analizat për ndërhyrjet fiskale

52
0

Të dhënat nga draftraporti i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat mbi kontrollin post-legjislativ të ligjit për akcizat tregojnë nga viti 2013 deri në vitin 2025 niveli i akcizës është rritur me 114%, duke kaluar nga 3,500 lekë për 1,000 cigare në 7,500 lekë për 1,000 copë. Në të njëjtën periudhë, inflacioni kumulativ ka qenë rreth 29%, çka do të thotë se në terma realë vlera e akcizës është rritur me rreth 66%.

Raporti thekson gjithashtu se politika fiskale për këtë sektor ka kaluar nga një model me rritje të paparashikueshme drejt një kalendari më të qëndrueshëm dhe të planifikuar. Në periudhën 2012-2016 rritjet e akcizës kanë qenë sporadike dhe në disa raste shumë të larta, duke arritur deri në 28.6% brenda një viti. Pas vitit 2017 është adoptuar një model më gradual dhe më i parashikueshëm, i bazuar në rritje të planifikuara vjetore prej rreth 250 lekë për kilogram.

Sipas dokumentit, vërehet gjithashtu konvergjenca e kategorive të ndryshme të produkteve të duhanit. Aktualisht cigaret, purot dhe duhani i grirë kanë arritur në një nivel të njëjtë taksimi prej 7,500 lekë për kilogram, një strukturë që synon të krijojë neutralitet fiskal dhe të shmangë favorizimin ose penalizimin e formave të ndryshme të konsumit të duhanit.

Megjithatë, raporti nënvizon se Shqipëria mbetet ende nën nivelin minimal të taksimit të kërkuar nga Bashkimi Evropian. Aktualisht akciza për cigaret arrin në rreth 62 euro për 1,000 cigare, ose rreth 69% të nivelit minimal prej 90 euro që kërkohet nga direktivat e BE-së. Diferenca prej 28 euro për 1,000 cigare duhet të mbyllet deri në vitin 2027 në kuadër të procesit të përafrimit me legjislacionin europian.

Një tjetër çështje e evidentuar nga raporti është mungesa e një mekanizmi automatik të indeksimit të akcizës me inflacionin. Aktualisht niveli i akcizës nuk rritet automatikisht në përputhje me inflacionin, megjithëse politika e kalendarit progresiv të rritjeve ka kompensuar pjesërisht këtë mangësi duke garantuar një rritje të planifikuar të të ardhurave.

Raporti kritikon gjithashtu procesin politikëbërës në këtë fushë, duke theksuar mungesën e analizave paraprake të detajuara përpara ndërhyrjeve fiskale. Sipas dokumentit, ndryshimet në nivelin e akcizës nuk janë shoqëruar gjithmonë me vlerësime ex-ante që parashikojnë ndikimin në të ardhurat buxhetore, efektin mbi konsumin dhe shëndetin publik apo rrezikun e mundshëm për rritjen e kontrabandës.

Në këtë kontekst përmendet edhe rëndësia e instrumenteve ndërkombëtare të luftës kundër tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka hartuar Protokollin për Eliminimin e Tregtisë së Paligjshme të Produkteve të Duhanit, i cili synon të forcojë kontrollin mbi zinxhirin e furnizimit dhe të vendosë standarde ndërkombëtare për parandalimin dhe ndëshkimin e tregtisë së paligjshme. Shqipëria ka ratifikuar Konventën Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit me Ligjin nr. 9474, datë 9 shkurt 2006, ndërsa aderimi në protokollin përkatës konsiderohet një hap i rëndësishëm për forcimin e këtij sistemi.

Në bazë të këtyre gjetjeve, raporti rekomandon një paketë masash për përmirësimin e politikës fiskale dhe për përafrimin me standardet e Bashkimit Europian. Në afatshkurtër propozohet miratimi i aderimit të Shqipërisë në Protokollin për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit, si dhe hartimi nga Ministria e Financave i një kalendari të ri të rritjes progresive të akcizës pas vitit 2026, me synimin që vendi të arrijë gradualisht nivelin minimal prej 90 euro për 1,000 cigare të kërkuar nga BE.

Njëkohësisht sugjerohet hartimi i një strategjie kombëtare afatgjatë për akcizat e produkteve të duhanit dhe kryerja e studimeve mbi elasticitetin e kërkesës, ndërsa çdo ndryshim i ardhshëm në nivelin e akcizës duhet të shoqërohet me analiza të detajuara paraprake mbi ndikimin në të ardhurat buxhetore, konsumin, shëndetin publik dhe rrezikun e kontrabandës.

Në afatmesëm, raporti rekomandon futjen e një strukture të përzier të taksimit të duhanit që kombinon taksën specifike me komponentin “ad valorem”, në përputhje me legjislacionin e BE-së, si dhe vendosjen e një mekanizmi automatik indeksimi të akcizës me inflacionin për të ruajtur vlerën reale të të ardhurave. Dokumenti sugjeron gjithashtu krijimin e një indeksi kombëtar për monitorimin e përballueshmërisë së duhanit dhe thekson nevojën për të reduktuar gradualisht varësinë e buxhetit nga akciza e duhanit përmes diversifikimit të burimeve të të ardhurave fiskale. /ekofin.al