Ballina Politika Bruna Mersini flet “si mjeke dhe si nënë”/ Po si kryetare e...

Bruna Mersini flet “si mjeke dhe si nënë”/ Po si kryetare e Bashkisë kur do të flasë, kur të ketë viktima?

71
0

Pas zjarrit në Vlorë, Bashkia e gjeti përgjigjen: deklarata për “shëndetin dhe sigurinë”, takime me biznesin dhe mesazhe solidariteti. Asnjë fjalë për përgjegjësitë. Asnjë fjalë për kontrollet. Asnjë fjalë për hetimet.

Kryetarja e Bashkisë, Bruna Mersini, doli publikisht pas ngjarjes për të njoftuar se kishte zhvilluar një takim me ekipin e bashkisë, drejtuesin e operatorëve turistikë Vasil Bedini dhe përfaqësues të biznesit.

“Shëndeti dhe siguria e qytetarëve dhe pushuesve” është, sipas saj, shqetësimi i parë.

Por nga deklarata mungon çështja kryesore: çfarë ndodhi dhe kush mban përgjegjësi?

Mersini tregon se është në kontakt me familjarët dhe spitalet dhe zgjedh të flasë edhe në cilësinë e mjekes dhe të nënës.

“Si mjeke, si nënë e pastaj me të gjitha përgjegjësitë e kryetarit të bashkisë, jam në kontakt të vazhdueshëm me familjarët dhe qendrat spitalore”, deklaron ajo.

Por Vlora nuk ka nevojë vetëm për solidaritetin e një mjekeje apo të një nëne. Ka nevojë për përgjigjet e kryetares së Bashkisë.

A janë bërë kontrollet që duhej të bëheshin? A janë respektuar kushtet e sigurisë? Çfarë përgjegjësish kanë institucionet? A ka nisur verifikimi i tyre?

Për asnjërën prej këtyre nuk jepet përgjigje.

Në vend të tyre, Bashkia flet për “reagim të shpejtë”, “bashkëpunim” dhe nevojën për “të qenë pranë njerëzve”.

Siguria, megjithatë, nuk garantohet me deklarata pasi njerëzit përfundojnë në spital. Ajo garantohet përpara zjarrit, me kontrolle, standarde dhe institucione që bëjnë punën e tyre.

Dhe pikërisht për këtë pjesë Bashkia e Vlorës nuk thotë asgjë.

Pas një ngjarjeje të rëndë, qytetarëve u ofrohet kështu një komunikatë e paketuar me kujdes: shqetësim, solidaritet dhe premtime për reagim.

Për përgjegjësitë dhe hetimet, heshtje./vna