Ballina Kosovë Kurti: Biseduam për figurën presidenciale

Kurti: Biseduam për figurën presidenciale

61
0

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas përfundimit të takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka parë vullnetin e LDK-së që “vendit t’ia sjellë një president”.

Kurti tha se takimi është zhvilluar në një atmosferë konstruktive, ndërsa theksoi se palët kanë diskutuar për kriteret dhe figurën e presidentit të ardhshëm.

“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive edhe e pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’ia sjellim një president të ri që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, që duhet të sigurojmë funksionim demokratik të shtetit dhe që për këtë duhet të ndërtojmë mirëbesim. Diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri për kombin mbarë dhe në profesione të caktuara”, tha Kurti pas takimit.

Ai ka theksuar se LVV-ja kërkon një figurë presidenciale meritore dhe kushtetuese, e cila reflekton vlerat e shoqërisë dhe ka dhënë kontribut për popullin.

“Për figurën presidenciale, edhe njëherë po e theksoj: kriteret, parimet, rrethanat në të cilat ndodhemi dhe çfarë figurash, me cilat vlera, kontribute dhe merita. Duam president ose presidente meritore, kushtetuese, që reflekton vlerat e shoqërisë sonë, që ka kontribut për popullin”, u shpreh Kurti.

Ky ishte takimi i katërt mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së në përpjekje për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

“Vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president duhet të na bëjë optimistë”, tha Kurti.