Ballina Kronika Mediat portugeze: I riu u vra në lokal dhe e lanë në...

Mediat portugeze: I riu u vra në lokal dhe e lanë në shezlong për tre orë, autorët me precedentë penalë

64
0

Portugezi, 20 vjeç, i identifikuar me inicialet L.V., u gjet i vdekur me shenja plagësh nga thika, i shtrirë në një shezlong plazhi në Ksamil, dyshohet pas një përleshjeje që kishte nisur më herët në një lokal nate, “Principote”, sipas raportimeve të mediave shqiptare.

I dyshuari për goditjen me thikë, një 29-vjeçar i identifikuar si Sokrat Vata, ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por ndërkohë u arrestua nga policia. Ai po udhëtonte i fshehur në bagazhin e një makine, të drejtuar nga një grua dhe një burrë, të dy shtetas turq, të cilët gjithashtu u arrestuan.

I dyshuari ka precedentë penalë në Mbretërinë e Bashkuar për vepra që lidhen me trafikun e drogës, mbajtjen e armëve dhe drejtimin e rrezikshëm të automjetit. Sipas një tjetër medie, “City News Albania” (CNA), agresori i dyshuar punonte si sigurim në lokal dhe është një nga 11 personat e arrestuar pas vdekjes së të riut portugez.

Dy burra, 29 dhe 36 vjeç, janë në kërkim nga policia. Njëri prej tyre, i identifikuar me inicialet DH, dyshohet se ka sulmuar shtetasin portugez dhe konsiderohet bashkëautor i vrasjes. Ndërsa Sokrat Vata dyshohet se i ka shkaktuar të riut portugez disa plagë me thikë në shpinë dhe në gjoks.

Mosmarrëveshja mes dy burrave dyshohet se është shkaktuar nga një konflikt lidhur me një grua, thotë faqja “Albania Daily News”, por hetimi ende vazhdon. CNA, portal lajmesh dhe agjenci mediatike dixhitale me seli në Tiranë, thotë se vdekja e të riut portugez ka ndodhur në kuadër të një përleshjeje.

Një tjetër media shqiptare, “Vox Press”, raporton se i riu portugez mund të jetë vrarë brenda njërit prej lokaleve të resortit, rreth orës 2:30 të mëngjesit, dhe më pas është transportuar në shezlongun e plazhit, ku është lënë në gjendje për të vdekur. Ai do të gjendej rreth tre orë më vonë, kur policia u thirr për të hetuar ngjarjen.

Sipas CNA-së, mes personave të arrestuar janë edhe një polic dhe një punonjës i policisë bashkiake të Gjirokastrës, të cilët ishin në shërbim të sigurisë në lokalin “Principote” dhe nuk bënë asgjë për ta parandaluar krimin. Pronari i lokalit ku dyshohet se kishte nisur konflikti, i identifikuar si Bekim Bulica, është marrë gjithashtu në pyetje nga policia, pasi ishte larguar nga vendi i ngjarjes pa njoftuar autoritetet.

Bekim Bulica rrezikon të akuzohet për veprën penale të “mosraportimit të një krimi”, ashtu si edhe katër punonjës të lokalit, të cilët gjithashtu u arrestuan nga policia shqiptare.Pronari i “Principote” ka precedent penal për sulm ndaj një polici, ngjarje e ndodhur tre vjet më parë./ JORNAL DE NOTICIAS