Ballina Aktualitet Borxhet, tatimet bllokojnë kompaninë e Bashkisë së Tiranës, nuk shlyen detyrimet

Borxhet, tatimet bllokojnë kompaninë e Bashkisë së Tiranës, nuk shlyen detyrimet

45
0

“Tirana DC”, një nga kompanitë më kontraverse të Bashkisë së kryeqytetit, është bllokuar nga administrata tatimore, për shkak të borxheve të pashlyera.

Vendimi është marrë në 18 Gusht 2026, ndërkohë që për momentin nuk bëhet e ditur detyrimi i pashlyer i shoqërisë publike.

“Tirana DC” u krijua në vitin 2020, me qëllim menaxhimin e pronave publike të bashkisë së Tiranës. Që në krye të herës ajo u kritikua nga opozita dhe ekspertë të ekonomisë, duke e konsideruar si një mekanizëm për pastrimin e flukseve të parave të pista në sektorin e ndërtimit.

Këto akuza u forcuan akoma më shumë, kur drejtuesit e saj, fillimisht Redi Molla dhe më pas Mariglen Qato, dy zyrtarë shumë të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës, u arrestuan dhe u morën nën akuzë për aferën korruptive ‘5D”.

Gjatë më shumë se 5 viteve të ekzistencës së saj, shoqëria publike “Tirana DC” vetëm ka konsumua fonde nga Bashkia e Tiranës, ndërkohë që bilancet e saj tregtare tregojnë se ajo ka dalë gjithnjë me humbje, pa kryer asnjë aktivitet në funksion të përmirësimit të financave të institucionit.

Të dhënat ekonomike për “Tirana DC” janë tërësisht të pjesshme, pasi bilanci i fundit tregtar i saj është dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në vitin 2024, për aktivitetin e vitit 2023.

Kompania publike u regjistruar zyrtarisht në dhjetor të vitit 2020. Kapitali fillestar i saj ishte 50 milionë lekë, të cilat janë paguar nga Bashkia e Tiranës. Rreth një vit më pas, në tetor 2021, bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj, i dha hua rreth 2 milionë euro.

Pavarësisht kësaj ndihme financiare, “Tirana DC” rezulton se, të paktën në periudhën 2020-2022, ka një humbje prej 183 milionë lekë.

Pak muaj më parë, në shkurt 2026, një përmbarues privat bllokoi gjithashtu llogaritë e ‘Tirana DC”, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Tiranës, për detyrime të pashlyera.

Image