Ballina Aktualitet Kur rojet e shtetit bëhen roje lokalesh, çfarë thotë ligji për policët...

Kur rojet e shtetit bëhen roje lokalesh, çfarë thotë ligji për policët që punojnë si bodyguardë

52
0

Vrasja e turistit 20-vjeçar portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil nuk është vetëm një tragjedi për familjen e të riut, i cili erdhi në Shqipëri për pushime dhe do të kthehet në atdhe në një arkivol. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë ka edhe një tjetër aspekt shqetësues, prania e punonjësve të shtetit në ambientin ku ndodhi krimi dhe roli që ata kanë pasur para dhe pas ngjarjes.

Të paktën tre punonjës të strukturave shtetërore rezultojnë të kenë qenë të angazhuar si personel sigurie në lokalin ku ndodhi ngjarja. Dy prej tyre janë punonjës policie, ndërsa një tjetër punonjës i sistemit të burgjeve.

Sipas Policisë, ata nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e ngjarjes dhe nuk kanë njoftuar autoritetet pas saj. Për këtë arsye, ndaj tyre janë ngritur akuza që lidhen me moskallëzimin e krimit dhe mosmarrjen e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme.

Rasti bëhet edhe më shqetësues kur vendoset përballë një tjetër ngjarjeje të ndodhur vetëm pak ditë më parë në Sarandë, ku sërish punonjës të Policisë së Shtetit rezultuan të angazhuar në një lokal privat dhe përfunduan të pezulluar nga detyra.

Rasti i Ksamilit 

Në beach-barin “Principote” në Ksamil, ku mbeti i vrarë turisti portugez Luis Miguel Varela Mendes, në rolin e personelit të sigurisë kanë qenë disa persona, mes tyre edhe punonjës të strukturave shtetërore.

Image

Bëhet fjalë për Miosid Matushajn, punonjës të Policisë së Shtetit në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër; Luçiano Seferin, punonjës të burgut të Fierit; Romeo Shehun, punonjës të Policisë Bashkiake Gjirokastër; si dhe Kristi Koshin.

Sipas Policisë, këta persona kanë pasur detyrën e sigurisë në ambientet e lokalit dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e ngjarjes. Pas krimit, ata nuk kanë njoftuar Policinë për atë që kishte ndodhur.

Matushaj, Seferi dhe Shehu janë arrestuar, ndërsa ndaj tyre po zhvillohen hetime për vepra penale që lidhen me “Moskallëzimin e krimit” dhe “Mosmarrjen e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”. Për një prej tyre hetimi lidhet edhe me “Përkrahjen e autorit të krimit”.

Pra, në vendin ku një turist humbi jetën, mes personave që duhet të garantonin sigurinë rezultojnë edhe njerëz që janë vetë pjesë e strukturave të shtetit.

Rasti i Sarandës 

Vetëm pak ditë më parë, një tjetër ngjarje në Sarandë nxori në pah një situatë të ngjashme.

Rreth orës 03:20 të 16 gushtit, në ambientet e jashtme të një lokali në Sarandë shpërtheu një konflikt mes disa personave. Në përplasjen fizike u përfshi shefi i Krimeve të Komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli.

Image

Sipas Policisë, rojet e sigurisë së lokalit po konfliktoheshin fizikisht me disa persona. Bakalli, i cili po kalonte me automjet, ka ndërhyrë për të ndaluar konfliktin pasi është identifikuar si punonjës policie. Por rojet e sigurisë kanë nisur ta godasin me grushte.

Në total, gjashtë persona u arrestuan dhe një tjetër u shpall në kërkim. Mes tyre kishte edhe persona të angazhuar si roje sigurie, ndërsa një prej të arrestuarve ishte ushtarak.

Por sërish, në këtë ngjarje shfaqen punonjës të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, pezulloi nga detyra inspektorin Armando Shehi, efektiv të Repartit “RESI”, dhe nënkomisarin Andon Binaku, efektiv të RENEA-s.

Image

Sipas Policisë, dy efektivët ishin të dypunësuar pa leje në lokal. Edhe pse ndodheshin jashtë detyre, ata nuk kishin njoftuar për konfliktin dhe duhej të ndërhynin për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Dy ngjarje të ndryshme, por një element i përbashkët. Punonjës të strukturave të shtetit që gjenden të angazhuar në sigurinë e lokaleve private dhe që, në momentet kur situata del jashtë kontrollit, përballen me detyrimin për të vepruar si efektivë shtetërorë.

Çfarë thotë ligji për policët jashtë shërbimit?

Rasti ngre edhe një pikëpyetje ligjore mbi dypunësimin e efektivëve.

Ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, në nenin 9, pika 3, përcakton se çdo punonjës policie, “gjatë kryerjes së detyrës ose jashtë saj”, vepron për përmbushjen e nevojave dhe pritshmërive të publikut për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe e përdor autoritetin që i jep ligji vetëm për këtë qëllim.

Image

Po kështu, neni 10, pika 1, përcakton se punonjësi i policisë vepron për të parandaluar një veprim ose mosveprim të kundërligjshëm ose ndërhyn menjëherë për të ndërprerë pasojat e paligjshme që përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën, shëndetin, sigurinë ose pronën.

Image

Ndërkohë, rregullat për veprimtaritë private të punonjësve të Policisë parashikojnë se angazhimet dytësore lejohen vetëm nëse nuk krijojnë konflikt interesi, nuk lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë policore dhe nuk ndikojnë në ushtrimin e detyrave apo në kohën e punës.

Në të njëjtën kohë, ligji nuk lë një boshllëk për sjelljen e policit jashtë orarit të shërbimit, pasi statusi i tij si punonjës policie dhe detyrimi për të reaguar ndaj një rreziku serioz për rendin dhe sigurinë publike nuk zhduken vetëm sepse ai ndodhet jashtë turnit.

Pikërisht këtë parim e bëri të qartë edhe Policia në rastin e Sarandës, kur deklaroi se dy efektivët, pavarësisht se ishin jashtë detyre, duhej të ndërhynin për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Në këtë pikë, rasti i Ksamilit bëhet edhe më i rëndë pasi nëse personat që kishin marrë përsipër sigurinë e lokalit ishin njëkohësisht punonjës të strukturave shtetërore dhe ishin të pranishëm gjatë një situate që përfundoi me vrasjen e një turisti, pyetja nuk është vetëm nëse ata kishin një detyrë kontraktuale si bodyguardë, por edhe nëse kanë përmbushur detyrimet që ligji u ngarkon si punonjës të Policisë së Shtetit./ Politiko.al