Ballina Politika “Fati i Maliqit është marrë peng nga Gëzim Topçiu”/ Blushi: Kryebashkiaku po...

“Fati i Maliqit është marrë peng nga Gëzim Topçiu”/ Blushi: Kryebashkiaku po bën pazare në kurriz të banorëve, shkrirja thikë pas shpine

44
0

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kundërshtuar projektin për bashkimin e Bashkisë Maliq me Bashkinë e Korçës, duke e cilësuar atë si një nismë që synon shpopullimin e zonës. Në një deklaratë nga Maliqi, Blushi akuzoi qeverinë dhe përfaqësuesit socialistë për braktisjen e interesave të banorëve.

Blushi tha se bashkimi do të rëndojë veçanërisht banorët e zonave të largëta, duke sjellë vështirësi në marrjen e shërbimeve administrative. Ai solli si shembull banorët e Dusharit, të cilët, sipas tij, do të duhet të udhëtojnë rreth 75 kilometra për të marrë shërbime në Korçë.

Ai akuzoi ish-kryebashkiakun e Maliqit, Gëzim Topçiu, se po përdor fatin e bashkisë për interesa personale, duke pretenduar se ai synon një post drejtues në administratën e ardhshme të Bashkisë së Korçës.

“Fati i Maliqit është marrë peng nga Gëzim Topçiu, i cili, pasi mbaroi shtatë mandate si kryetar bashkie, tanimë po bën një pazar të fëlliqur në kurriz të këtyre banorëve për të përfituar një post drejtori në administratën e ardhshme të Bashkisë së Korçës”, deklaroi Blushi.

Ai kritikoi gjithashtu këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Maliqit, duke i akuzuar se nuk kanë mbrojtur interesat e banorëve. Blushi e lidhi kundërshtimin e tij edhe me situatën e fermerëve të zonës, duke akuzuar qeverinë se ka lënë pa mbështetje bujqësinë dhe se ka penguar përfitimin nga fondet IPARD.

Në vijim, ai akuzoi deputetët socialistë Niko Peleshi, Ilir Pendavinji dhe Romina Kuko se nuk kanë informuar qytetarët gjatë fushatës elektorale për një projekt të tillë.

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së u bëri thirrje banorëve të Maliqit të kundërshtojnë bashkimin me Korçën, ndërsa paralajmëroi se ndryshimet territoriale dhe “paketa e maleve”, sipas tij, rrezikojnë pronat, pyjet dhe banesat e banorëve.