Nga Halil Rama – Mjeshter i Madh
Si pasardhës i një familje e fisi emërndritur, vërtetë u rreshtua ndër të parët në zhvillimin demokratik të Shqipërisë, por me një armë ndryshe nga ajo që ishte “modë” në vitet ’90 të shekullit të shkuar, qytetarinë dhe argumentin intelektual
Në historinë e Dibrës, në kreshtat e maleve të saj madhështore apo luginat pjellore, kanë lindur e janë formuar burra të dijes, të karakterit dhe të përkushtimit kombëtar. Në çdo kohë, Dibra ka patur dhe ka figura të përmasave lokale, kombëtare e ndërkombëtare, duke filluar që nga koha e Gjergj Kastriotit. Në ditët e sotme për shumë arësye, për shkak të zhvillimeve teknologjike, të mundësive të shtuara ekonomike, të lëvizjes dhe të shkëmbimit të kulturave, të angazhimit dhe studimeve brënda dhe jashtë vendit, emrat që e nderojnë origjinën e tyre, Dibrën tonë, janë të shumtë dhe përzgjedhja e tyre është një proces jo i lehtë.

PASARDHËS I NJË FISI QË NË HISTORINË E DIBRËS KA KONTRIBUTE TË MËDHA ATDHETARE
Prof. dr. Shpëtim Cami është një nga përfaqësuesit më dinjitozë të elitës intelektuale dibrane në Tiranë. Është një nga dibranët që në vlerësimin tim e meriton të vendoset në panteonin e vlerave si intelektuali dibran me rrezatim kombëtar dhe ndërkombëtar, njeriu i dijes, i përkushtimit, i urtësisë dhe i qytetarisë së lartë.
Ai ka lindur më 20 qershor 1960 në Bulqizë, aty ku banonte familja e tij në atë kohë, por rrënjët e tij lidhen fort me Viçishtin e Gjoricës, atë fshat piktoresk që qëndron krenar përballë Dibrës së Madhe, si një ballkon natyror mbi historinë dhe traditat shqiptare.
Prof. Dr. Shpëtim Cami është pasardhës i një fisi që në historinë e Dibrës ka kontribute të mëdha atdhetare. Ky fis ka qenë ndër familjet që në çdo etapë të historisë shqiptare ka qëndruar pranë çështjes kombëtare, duke dhënë ndihmesa të vyera, sakrifica dhe dëshmorë për Atdheun duke filluar që nga beteja e Nëntë Maleve me Hajredin Pashën, në Fushë të Gjoricës më 23 tetor 1844, aty ku ishte i vendosur ky fis në atë periudhë dhe ku vazhdon të qëndrojë edhe sot një pjesë e mirë e atij fisi edhe pas 184 vitesh, shprehje e dashurisë së madhe atdhetare dhe e lidhjes me origjinës.
Në trungun e këtij fisi të njohur kanë dalë figura me emër si Mahmut Cami, Dan Cami, Fetah Cami, Shaban Cami, Ahmet Cami, Fasli Cami, Ejup Cami, Hamit Cami, Tefta Cami dhe shumë patriotë të tjerë që i dhanë nder jo vetëm Dibrës, por mbarë Shqipërisë.
Dallgët e historisë i shpërndanë degët e këtij fisi nga Gjorica në Dibër të Madhe, Viçisht, Sepetovë, Shupenzë, Bulqizë, Peshkopi, Tiranë e deri në Amerikë, por kudo që shkuan ruajtën krenarinë e origjinës.
Dy shkolla 9 vjeçare në Gjoricë dhe në Viçisht, mbajnë emrat e vëllezërve dëshmorë të atdheut, Ahmet dhe Fasli Cami.
Babai i tij, Uke, gjyshi Abdulla dhe stërgjyshi Shaban ishin pjesë e kësaj tradite të fortë familjare, ku nderi, puna dhe dashuria për vendin konsideroheshin virtyte themelore.
Pikërisht në këtë mjedis me frymë atdhetare dhe me respekt për dijen u formua karakteri i Prof. Dr. Shpëtim Camit i cili në frymën e të parëve të tij, jo vetëm ka shkruar për këtë histori por edhe që prej 35 vitesh i është rikthyer vendlindjes me investime duke mirëmbajtur shtëpinë e prindërve të cilët prej më shumë se 20 vite janë ndarë nga jeta, por edhe duke investuar më tej duke jua shtuar trashëgiminë por edhe përgjegjësinë brezave që do të vijnë pas tij. Raste të rralla në Dibër.
Megjithëse i lindur në Bulqizë më 20 qershor 1960, pas një viti, në vitin 1961, për arësye politike të familjes së tij, fëmijërinë dhe vitet e para të shkollimit i kaloi në Viçisht, ku kreu shkollën tetëvjeçare. Ishte një nxënës i shkëlqyer, me etje për dije dhe me prirje të veçanta për shkencat ekzakte por edhe një adhurues dhe lexues i rregullt i librit artistik. Që në shkollën 8 vjeçare merr diplomën “MIK I VOGËL I LIBRIT”
Shkollën e mesme e vazhdoi në Peshkopi dhe Burrel, ndërsa në vitin 1984 përfundoi me sukses studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën e Fizikës.
Pas diplomimit, filloi rrugën e tij fisnike në arsim, profesion që do ta ushtronte me përkushtim dhe dashuri. Emërimi i parë si mësues ishte në fshatin Gallatë të Krujës, ku punoi gjatë viteve 1984–1986. Këtu filloi të shkruaj kronikat e para për gazetën “Mësuesi”
Më pas u transferua në gjimnazin e Laçit, ku jo vetëm dha modelin e një mësimdhënësi shëmbullor, të një trajnuesi në nivel rrethi, shumë shpejt për moshën tij të re, ju ngarkua edhe detyra e zëvendësdrejtorit të shkollës.
Vitet e fundit të sistemit komunist qenë të vështira për shumë intelektualë me mendim të lirë dhe profesionist të mirë. Një situatë të tillë përballoi edhe Shpëtim Cami. Megjithatë, karakteri i tij nuk u përkul. Ai mbeti i lidhur fort me bindjet e tij demokratike, nivelin e lartë të përgjegjësisë për çdo detyrë të ngarkuar dhe me idealin e shërbimit ndaj shoqërisë.

SIMBOL I POLITIKANIT TË ARSYES, LUAJAL NDAJ VLERAVE DHE PARIMEVE QË BESONTE DHE BESON
Në vitin 1991 u përfshi aktivisht në jetën politike të vendit, në një kohë kur Shqipëria po hynte në etapën e pluralizmit politik. U zgjodh kryetar i Partisë Socialiste për rajonin e Laçit dhe më pas për rrethin e Kurbinit. Politikën e konsideronte si një alternative konkuruese për zhvillim dhe jo si një luftë të re klasash. Në nëntor të vitit 1992, themeloi gazetën politike “Albulena”, një ndër të paktat media politike të majta në atë kohë, si një zë të fortë opozitar, si zëri i përfaqësuesve të zgjedhur lokal.
Në vitin 1996 e përzgjedhin si kandidat për deputet në zonën e Mamurrasit dhe Fushë-Kuqes. Fushata e tij elektorale ishte pa sharje dhe konflikte siç ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh edhe sot. Me gazetën “Albulena” në dorë, me një program elektoral të detajuar për çdo lagje e për çdo fshat, ndër të paktët programe elektorale të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e vitit 1996, komunikonte me zgjedhësit me një nivel të lartë përgjegjësie politike, ndaj dhe mbështetja e votuesve ishte e jashtëzakonshme përtej bindjeve politike.
Pas humbjes së zgjedhjeve, i zhgënjyer nga politika dhe demokracia shqiptare, me një gjest qytetarie dhe dinjiteti politik, ai u tërhoq nga politika aktive dhe zgjodhi rrugën e emigrimit.
Pas vitit 1997, me ndryshimet politike në vend, u rikthye në Shqipëri. Emërohet Përgjegjës i Sektorit të Statistikës dhe Informacionit pranë Drejtorisë Arsimore Kurbin, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1999.
Më pas karriera e tij mori përmasa të gjera në administratën shtetërore. Ai mbajti pozicione të rëndësishme si Përgjegjës i Degës Elektrike për Qarkun e Lezhës, punonjës i aparatit të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PSSH-së, si dhe Përgjegjës i Zyrës së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Ndërtimore në Tiranë.
Nisur nga kjo përvojë si dhe në respekt të kontributit të tij politik, emrohet Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor gjatë viteve 2002–2005, emërtesë e Kryeministrit me varësi administrative nga Ministria e Transportit.
Aftësitë administrative të ndërlidhura me vlerat intelektuale, prodhuan një drejtim modern për kohën duke botuar katër libra nga të cilët tre lidheshin me mirëadministrimin e atij institucioni dhe i katërti, botoi për here të pare “Historinë e Shërbimeve të Transportit” dhe themeloi të parin muze të atij shërbimi me rastin e 80 vjetorit.
Në gjithë karrierën e tij të suksesshme, ai u formua dhe mbeti simbol i politikanit të arsyes, luajal ndaj vlerave dhe parimeve që besonte. Si i tillë, Prof. Shpëtim Cami ka lënë pas një trashëgimi të vyer në të gjitha fushat ku kontribuoi. Kontributet e tij kanë qenë të spikatura që nga periudha kur hyri aktivisht në jetën politike të vendit, por edhe në nxitjen dhe progresin e proceseve demokratike.

NJË NGA PËRFAQËSUESIT VENDORË MË TË VOTUAR NË TIRANË DHE SI KANDIDAT PËR DEPUTET NË KURBIN E TIRANË
Kontributi i Sh. Camit ka qenë i spikatur edhe në vetqeverisjen vendore, prej rreth 23 vitesh pa ndërprerje. Fillimisht prej 8 vitesh si anëtar i Këshillit të Rrethit Kurbin, më tej, Kryetar i Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr 1, Tiranë, Zv/kryetar dhe Kryetar i Njësisë Bashkiake Nr1, Tiranë dhe anëtar i Këshillit të Bashkisë Tiranë. Edhe në qeverisjen vendore në Tiranë, aftësitë intelektuale spikatën përveç të tjerave duke u bërë ideator dhe bashkëthemelues I Gazetës Lokale “Tribuna Qytetare”, botim i Njësisë Bashkiake Nr 1, Tiranë, e vetmi buletin informativ i këtij lloji në nivel kombëtar.
Është një nga përfaqësuesit vendor më të votuar në Tiranë, por edhe si kandidat për deputet në Kurbin dhe Tiranë.
Pas përfundimit me sukses të mandatit të Kryetaritt ë Njësisë Bashkiake Nr 1 Tirane, në korrik 2015, ushtroi për pak kohë edhe disa detyra në administratën e lartë shtetërore si këshilltar i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe më pas Drejtor i Kabinetit të Ministrit, në Ministrinë e Mbrojtjes deri në shtator 2017.
Përveç përvijimit të një profili modern si një nga drejtuesit vendor më të suksesshëm, Prof. Shpëtim Cami nuk u tregua indiferent edhe ndaj zhvillimeve demokratike, duke u kthyer në një nga zërat kryesore në jetën politike shqiptare.
Si pinjoll i një familje e fisi emërndritur, Ai, vërtetë u rreshtua ndër të parët në zhvillimin demokratik të Shqipërisë, por me një armë ndryshe nga ajo që ishte “modë” në vitet ’90 të shekullit të shkuar, qytetarinë dhe argumentin intelektual.
Profesor Cami, e arriti këtë objektiv të jetës së tij duke luftuar me qytetari dhe pa e hequr kurrë të qeshurën dhe gazin. Kurrë, asnjë sharje apo fjalë denigruese për kundërshtarët, por vetëm argument dhe doktrinë. Elita e kryeqytetit dhe jo vetëm, e kuptoi dhe e përkrahu Shpëtim Camin, i cili kur politika u egërsua dhe kur argumenti u braktis, kur në skenë dolën të fortët dhe mjetet e egra, u tërhoq në jetën e tij intelektuale.

VEPRIMTARIA E TIJ AKADEMIKË ËSHTË E GJERË DHE SHUMËDIMENSIONALE
Profesor Shpëtim Cami është një figurë me një kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë shqiptar, me mbi 35 vite përvojë në fusha kyçe si arsim, shkencë, administratë, politikë, në fushën e botimeve dhe shoqërisë civile.
Që nga viti 2017, i është përkushtuar jetës akademike, veprimtari të cilën e ushtronte paralelisht që nga viti 2010.
Ai nuk e ndali asnjëherë investimin në drejtim të edukimit vetiak por edhe familjar, sipas parimit të të mësuarit gjatë gjithë jetës. Kreu një fakultet të dytë në Inxhinieri Kompjuterike dhe për pasionin e tij kreu dy mastera. Në vitin 2010 përfundoi Masterin për Politikë të Jashtme dhe Diplomaci, ndërsa në vitin 2011 kreu edhe Masterin e dytë për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Studimet doktorale i ndoqi për tre vite në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë, por për shkak të mbylljes së procesit akademik në këtë institucion, ai i përfundoi studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës në Maqedoninë e Veriut në vitin 2014, duke fituar gradën “Doktor i Shkencave”. Në vitin 2018, fitoi titullin Profesor i asociuar dhe në vitin 2023, titullin Profesor doktor po në të njëjtin universitet ku kontribuoi prej 15 vitesh, duke e filluar si themelues i Revistes Shkencore të Universitetit (The Heritage), pedagog, dekan dhe duke e mbyllur si rektor i atij universiteti në vitin 2025.
Veprimtaria e tij akademike është e gjerë dhe shumëdimensionale. Ai ka një përvojë mbi 15 vjeçare në arsimin e lartë si pedagog dhe drejtues në Universitetin “Iliria” në Tiranë, ku themeloi gazetën universitare “Illyria News”, në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, Maqedoni e Veriut, ku themeloi Revisten Shkencore “The Heritage” dhe si Përgjegjës i Departamentit të Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit në Universitetin “Barleti” në Tiranë.
Gjatë kohës që ushtronte detyrën e Përgjegjësit të Departamentit të Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit, themeloi të parin dhe të vetmin Buletin Informativ Shkencor të atij universiteti, të titulluar “Politika dhe Qeverisja”.
Aktualisht, ai ushtron detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Kolegjin Universitar të Biznesit, ku ka dhënë një ndihmesë të vyer në konsolidimin institucional dhe rritjen e cilësisë akademike. Njëherazi edhe si Përgjegjës i Departamentit të Studimeve të Larta Administrative në Kolegjin Universitar të Biznesit në Tiranë, universitet në të cilin vlerat intelektuale krahas atyre mësimdhënëse apo shkencore, spikatën me leksione të hapura dhe me themelimin e një botimi tjetër universitar të titulluar “Innovation”.
Përvoja e tij e gjerë dhe përkushtimi i palëkundur e bëjnë një nga shtyllat kryesore të këtij institucioni, duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin strategjik dhe integritetin akademik të universitetit.

VEPRIMTARI E FRYTSHME PUBLICISTIKO-LETARE DHE AKEDEMIKE SHKENCORE E PROF. SHPËTIM CAMIT
Prof. dr. Shpëtim Cami ka realizuar gjithashtu vepra shumë të frytshme publicistiko – letrare e akademiko-shkencore, si dhe ka organizuar veprimtari të shkëlqyera promovuese të librave të disa autorëve dibranë.
Disa prej studimeve të tij mbeten shembuj të shqyrtimit dhe të paraqitjes dinjitoze në qarqet akademike të vendit. Do të veçoja këtu librin studimor “Dinamikat komplekse të hapësirave të lirisë”, një botim me vlera të veçanta në fushën e mendimit akademik dhe filozofik. Në promovimin nga Qendra Kulturore e Librit dhe Leximit, përfaqësues të botës akademike e të letrave sollën reflektime mbi rëndësinë e këtij botimi dhe qasjen e tij novatore ndaj konceptit të hapësirave të lirisë. Gjatë takimit u theksua roli i librit studimor dhe akademik si një gur themeli për zhvillimin intelektual dhe shkencor të shoqërisë. Panelistët theksuan se “Dinamikat komplekse të hapësirave të lirisë” është një kontribut i çmuar që nxit dialogun dhe analizën kritike në mjedisin universitar dhe përtej saj. Kësisoj Prof.dr. Cami njihet si intelektuali me kontribute publike, por që shërben edhe si një zë kritik dhe ndërgjegje e shoqërisë. Ai e lidh dijen akademike me veprimin qytetar dhe debatin politik pa u kapur domosdoshmërisht pas interesave partiake.
Po ashtu, libri i tij “Koherencë” përçon tek lexuesi mesazhet e një intelektuali me vitalitet e shpirt krijues, ku spikat vërtetësia dhe prirja për zhbirime psikologjike të botës së njeriut të mirë e altruist, vizatimi i karaktereve me penelata të holla dhe ku lirizmi nuk mungon as kur subjekti shtjellohet në situata konfliktesh.
Metafora e tij më shprehëse duket se kërkohet te argumenti duke i veshur petkun letrar në përshkrimin poetik të personazheve, ngjarjeve e dukurive, veti këto që i dallojmë edhe në librat e tij: “Njerëz dhe realitete” , Kohërencë” , “Kolegë dhe miq të mirë” si dhe librat shkencor “ Gjeopolitika Elektorale”, “Ndikimi i marrëdhënieve ndërkombëtare në sigurinë e shtetit shqiptar 1945-1980”, “Marketingu Politik”, (me bashkëautor), “Lufta, Paqja dhe siguria”, (me bashkëautor) “ “Kanada” ( me bashkëautor) , monografitë , “ Në emër të jetës “ , “Kurbini sipas një këndvështrimi”, “ Heroi i shtangës” etj.
Kësisoj ai ka realizuar botime shkencore dhe dokumentare, duke kontribuar në jetën intelektuale shqiptare me analiza, studime dhe reflektime mbi zhvillimet shoqërore e kombëtare.

THEMELUES DHE DREJTUES I DISA OJQ-ve NË SHQIPËRI, NË NIVEL EUROPIAN DHE NDËRKOMBËTAR
Në fushën e shoqërisë civile, Prof. Dr. Shpëtim Cami është themelues, anëtar dhe drejtues disa organizatave joqeveritare në Shqipëri, në nivel europian dhe ndërkombëtar.
Një rol të rëndësishëm në jetën e tij zë edhe drejtimi i Shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” me qendër në Tiranë, ku aktualisht ushtron detyrën e kryetarit. Nën drejtimin e tij, kjo shoqatë ka zhvilluar një aktivitet të larmishëm duke u zgjeruar edhe me disa degë në qytete të tjera si Elbasan, Peshkopi dhe Maqellarë. Për tu veçuar “Ditët e Letërsisë Dibrane” në disa qytete të Shqipërisë, rast i rrallë në aktivitetet dhe veprimtarinë e përditshme të shoqatave tona.
Ai mbetet një njeri i lidhur fort me vendlindjen dhe me traditat e të parëve. Edhe pse jeta dhe detyrat e shumta e kanë mbajtur pranë qendrave të rëndësishme të administratës dhe akademisë shqiptare, zemra e tij ka mbetur gjithmonë në Viçishtin e Gjoricës, aty ku mori frymëzimin e parë për jetën. Me rastin e 80 vjetorit të shkollës, filloi përgatijen e një klase muze dhe botoi librin “80 vjet shkolla “Fasli Cami” Viçisht në vitin 2024. Festa e Diasporës së këtij fshati është një nga bashkëkontributet e Shpëtimit.
Krahas gjithë kësaj jete dhe veprimtarie politike, administrative dhe akademike, një drejtim jo shumë i njohur për publikun është sipërmarrja e lirë në biznes, veprimtari të cilën e ka ushtruar tre herë gjatë periudhës nga viti 1998 e deri më tani.
PËRFAQËSUES I TIPARAVE MË TË MIRA TË INTELEKTUALIT, MBROJTËS DHE ZHVILLUEES I TRADITAVE MË TË MIRA TË DIBRËS DHE GJITHË SHQIPTARËVE
Prof. Dr. Shpëtim Cami është gjithashtu një familjar shembullor, njeri i urtë, komunikues dhe i respektuar nga të gjithë ata që e njohin.
Ai përfaqëson tiparet më të mira të intelektualit, mbrojtës, ruajtës dhe zhvillues i traditave më të mira të Dibrës dhe gjithë shqiptarëve kudo ku janë.
Sot ai është një nga figurat më të respektuara në opinionin publik, një personalitet që me punën, dijen dhe kontributin e tij ka rreth vetes vetëm miq të mirë, mjafton të shikosh pëlqimet dhe të lexosh komentet në rrjetet sociale në të cilat publikon here pas here veprimtarinë e tij shumë dimensionale.
Prof. Dr. Shpëtim Camit është tashmë pjesë e atij mozaiku të vyer të intelektualëve shqiptarë që i bëjnë nder kombit dhe mbeten frymëzim për brezat që vijnë.
I ftuar here pas here në Maqedoni të Veriut, Luginën e Preshevës, apo në Kosovë, pjesëmarrës në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, vazhdon të jetë aktiv, i mirëpritur dhe i vlerësuar.
Nga njohja me ata që kanë shkruar, vlerësuar apo komentuar, në libra, revista, gazeta, portale apo rrjete sociale, për intelektualin Shpëtim Cami, do ta konsideroja një vlerë të shtuar faktin që të gjithë ata që shkruajnë janë ishnxenës, ishstudentë apo studentë aktualë, ish kolegë apo kolegë aktualë, njerëz të të gjitha moshave, me një gjeografi kombëtare dhe rajonale, gjë e cila ndodh rrallë.
Ish kolegu i tij, Sadedin Çeliku me rastin e ditëlindjes, i ka kushtuar dy poezi, të publikuara në rrjete sociale. Ja një nga strofat e poezisë së parë, publikuar në qershor 2025:
“O njeri i dijes dhe i veprës mirë,
Që ngjitesh me meritë, hap pas hapi i lirë,
Emir yt le të mbetet frymëzim,
Në arsim, në shtet, në çdo përparim “
Ndërsa gazetari Zenel Anxhaku, bashkëthemelues me Shpëtimin të gazetës “Tribuna Qytetare” i ka kushtuar një poezi tjetër, publikuar në vitin 2022, që e ngjit më lart në panteonin e vlerave dibrane:
O Shpëtim Cami, në sa zemra ke trokitur
Si një mëngjes me diell dhe vesë
Si një ortek mali që vjen duke u rritur
Dhe sjell pranverë dhe shpresë
Dhe duke gdhendur portrete për të tjerët
Gdhende pa dashur portretin tënd
Një shenjë të bukur le në letër
Një ndjenjë të pastër, një këngë…
O Shpëtim Cami, histori ligjërimi
Histori ligjërimi të një vatre të ngrohtë
Histori optimizmi dhe gëzimi
Histori që nuk tjetërsohet dot…
Shkruaj, shkruaj, shkruaj
Me penën tënde të kulluar
Shkruaj dhe na thuaj
Një histori të vërtetë, të paharruar…
O Shpëtim Cami, penë e kujtesës
Së vatrave të ndezura shqiptare
Penë e shpresës në rrjedhën e jetës
Modele kurajoje dhe krenare
Në sa e sa libra gdhende në shpirt
Besën, mikpritjen, paqen shqiptare
Penë e larë me mendim dhe dritë
Duke kërkuar dhe zbuluar thesare…







