Skandali me subvencionet bujqësore të Bashkimit Europian në Greqi mund të jetë edhe më i thellë nga sa mendohej. Një analizë e POLITICO ka zbuluar mospërputhje të mëdha mes numrit të kafshëve të regjistruara zyrtarisht dhe atyre për të cilat janë paguar fondet e BE-së, duke ngritur dyshime se subvencione janë dhënë edhe për kafshë që mund të mos kenë ekzistuar.
Sipas POLITICO, gjatë vitit 2024 autoritetet greke paguan subvencione europiane për rreth 260 mijë lopë qumështi dhe 70 mijë gjedhë të therur. Megjithatë, të dhënat e agjencisë greke të statistikave, ELSTAT, tregojnë se numri i përgjithshëm i gjedhëve në vend ka ardhur në rënie.
Nga rreth 640 mijë krerë në vitin 2023, numri i tyre zbriti në rreth 600 mijë në vitin 2024 dhe më pas në 520 mijë në vitin 2025. Sipas analizës, duke llogaritur lindjet e viçave dhe kafshët që largohen çdo vit nga tufat për shkak të therjes, moshës apo sëmundjeve, numri i gjedhëve duhej të ishte rritur me rreth 70 mijë krerë gjatë vitit 2024. Në vend të kësaj, statistikat tregojnë një rënie me rreth 40 mijë.
Mospërputhje janë konstatuar edhe te delet dhe dhitë. Sipas ELSTAT-it, në vitin 2025 në Greqi kishte rreth 8.8 milionë dele dhe dhi, ndërsa në Sistemin e Integruar të Informacionit Veterinar të Ministrisë së Bujqësisë figuronin të regjistruara rreth 15.7 milionë.
Ekspertë dhe përfaqësues të fermerëve, të cituar nga POLITICO, thonë se Greqia nuk ka ende një regjistër të besueshëm të bagëtive. “Nuk ka mbikëqyrje dhe nuk mund të kemi një shifër të saktë, sepse nuk ka të dhëna të sakta”, tha Nikos Dimopoulos, kreu i Shoqatës së Fermerëve të Blegtorisë në Kavala.
Zbulimet vijnë në një kohë kur Prokuroria Publike Europiane (EPPO) po heton dhjetëra raste të dyshuara për mashtrim me subvencionet bujqësore. Hetimet përfshijnë persona që dyshohet se kanë përfituar fonde për toka që nuk i zotëronin ose nuk i kishin marrë me qira, si edhe për aktivitete bujqësore që nuk ishin kryer.
Në një nga rastet e hetuara, një fermer dyshohet se përfitoi subvencione për më shumë lopë sesa kishte në të vërtetë. Sipas dokumenteve të cituara nga POLITICO, një veteriner dyshohet se kishte ndryshuar numrin e kafshëve në databazën zyrtare, duke rritur vlerën e subvencioneve që fermeri mund të merrte.
Skandali çoi edhe në mbylljen e agjencisë greke OPEKEPE, e cila administronte shpërndarjen e fondeve bujqësore të BE-së. Qeveria greke ka premtuar reforma dhe kontrolle më të forta, ndërsa Komisioni Europian ka deklaruar se po bashkëpunon me Athinën për të përmirësuar sistemin e menaxhimit të subvencioneve.
Megjithatë, sipas analizës së POLITICO, mospërputhjet e zbuluara sugjerojnë se problemi mund të shkojë përtej rasteve individuale të mashtrimit dhe të lidhet me vetë mënyrën se si regjistrohen dhe kontrollohen bagëtitë për të cilat shpërndahen fondet europiane.







